Një konflikt mes grupeve adoleshentësh dyshohet se fshihet pas të shtënave me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 në rrugën “Karl Topia”, kur dyshohet se nga një automjet është qëlluar me armë zjarri të llojit Kallashnikov.
Sipas burimeve policore, të shtënat kanë ardhur pas një konflikti verbal mes tre personave më një të katërt, të gjithë adoleshentë. Policia gjatë gjithë natës ka kryer kontrolle për kapjen e të dyshuarve dhe gjetjen e armës së zjarrit. Ndërsa kanë shoqëruar dy adoleshentë.
Paraprakisht mendohet se konflikti i mbrëmshëm është vazhdim i një ngjarjeje tjetër të ndodhur ditën e shtunë, kur një konflikt fizik në rrugën “Flamuri” të lagjes nr. 1 të qytetit me disa adoleshentësh, përfundoi me një të dëmtuar që mori mjekim në spital.


