Prokuroria e Fierit ka sekuestruar një sipërfaqe prej 276.5 hektarësh tokë në fshatin Hasturkas, Libofshë, e përfituar në mënyrë të paligjshme përmes dokumenteve të falsifikuara.
Sipas njoftimit zyrtar, pasuria e paluajtshme e llojit “kullotë” dhe “pyll” ishte kaluar në pronësi të një shtetasi me inicialet T.Zh., përmes një kërkese dhe vendimi të datës 26 shtator 1999 të ish-Komunës Libofshë, si dhe një vërtetimi të lëshuar më 10 tetor 1999 nga Komisioni i Verifikimit të Pronësisë.
Nga hetimet e Prokurorisë është vërtetuar se këto dokumente janë të falsifikuara, pasi në to mungojnë shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve të komisionit, fakt i konfirmuar nga akti i ekspertimit grafik.
Pas përvetësimit fillestar, prona është shpërndarë më tej tek persona të tjerë përmes kontratave shitje dhe dhurimi.
Ndaj shtetasit T.Zh. është ngritur akuza për “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Njoftimi:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi një pasuri të paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga neni 287 dhe 186 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.1419, datë 24.10.2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr.249, datë 22.02.2008”, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.
Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999, të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit).
Gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, i ish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.
Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet e falsifikuar:
- Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier.
Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.
Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale.