Shtresa e pasur në Britani të Madhe po përgatitet që të largohet menjëherë nga vendi, nëse Jeremy Corbyn i Partisë Laburiste bëhet kryeministër. Ata po frikësohen se do t’i humbin miliona funte, nëse ai e merr pushtetin dhe i zbaton premtimet për taksa të reja për elitën e të pasurve.
Avokatët dhe kontabilistët e familjeve më të pasura në Britani të Madhe kanë thënë se kanë marrë shumë kërkesa për ndihmë dhe këshilla nga klientët e tyre milionerë dhe miliarderë rreth zhvendosjes në shtete të tjera dhe largimit të pasurisë nga Mbretëria e Bashkuar. Ata gjithashtu po synojnë t’ua lënë pasurinë pasardhësve të tyre para se lideri i laburistëve ta zbatojë taksën për të hyrat mbi 125 mijë funte.
Këshilltarët thanë se një qeveri e udhëhequr nga majtisti Corbyn po vlerësohet si kërcënim shumë më i madh se Brexit-i pa marrëveshje për njerëzit e pasur dhe cilësinë e jetës së tyre.
Geoffrey Todd nga firma ligjore “Boodle Hatfield” tha se një pjesë e madhe e klientëve të tij tashmë kanë bërë plane për ta transferuar pasurinë e tyre jashtë vendit brenda disa minutash, nëse Corbyn bëhet kryeministër.
Ai shtoi: “Do të ketë shumë telefonata ndaj avokatëve në orët e hershme të 13 dhjetorit, nëse Partia Laburiste fiton. Zhvendosja e pasurisë te pronarët e rinj dhe në vende të tjera tashmë është e përgatitur, ata po e presin vetëm miratimin përfundimtar”, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.




