Në mes të përplasjes me autoritetet për prishjen e ndërtimeve pa leje, banorët e Thethit janë mbledhur në një Kuvend burrash para kishës së fshatit, duke kërkuar ndalimin e aksionit dhe nisjen e dialogut me qeverinë.
Zef Vladi, një nga zërat kryesorë të komunitetit, e cilësoi të paarsyeshme shembjen e objekteve, të cilat, sipas tij, nuk janë thjesht ndërtime, por pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të zonës.
“I kam bërë thirrje qeverisë që të ndalojë aksionin, sepse nuk është e arsyeshme. Ne e dimë që disa ndërtime kanë pasur gabime dhe nuk duhej të ishin lejuar, por ato janë ndërtuar me mundin dhe sakrificat tona.
Këto shtëpi janë më shumë se thjesht objekte, ato janë pjesë e historisë sonë, të mbrojtura me djersë e gjak” – deklaroi Vladi.
Ai kërkoi dialog të drejtpërdrejtë me autoritetet, duke pranuar se mund të ketë pasur shkelje në procesin e ndërtimit, por duke insistuar se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit, jo dhunës institucionale.
Vladi shtoi se banorët e Thethit kanë mbështetjen morale të komuniteteve nga Dajti, Puka dhe Dukagjini, duke theksuar se kjo çështje nuk është vetëm lokale, por lidhet me respektin për identitetin kulturor dhe të drejtën për të jetuar në tokën e tyre.
“Ne jemi ata që kemi mbrojtur këtë tokë. Ata janë bërë me djersë dhe mbrojtur me gjak. Nuk është e arsyeshme që tani dikush të hyjë dhe të shkatërrojë. Duhet të ulemi dhe të bisedojmë. Jemi vëllezër, duhet të gjejmë një zgjidhje paqësore, ” përfundoi ai.
Banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë rezistencën deri sa të hapet rruga për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme.