EMISIONI VETTING
Në të gjitha këto institucione, të moshuarit që nuk kanë të ardhura përfitojnë pension social prej 6 mijë lekësh në muaj. Ky përfitim nuk përputhet me moshën ligjore për përfitimin e pensionit, që sipas ligjit ai që është 70 vjeç dhe bie ndesh me ligjin për sigurimet shoqërore.
Ndërsa diferenca në moshë mund të duket teknike, në praktikë ajo krijon precedentë të rrezikshëm dhe çon në keqadministrimin e fondeve publike.
“Me nivelin e pensioneve dhe në nivelin maksimal në fakt në Shqipëri e kanë të vështirë të plotësojnë nevojat bazë. Dhe jo të mendosh që një pension diku tek 100 euro ti mbash 40% që i bie ti lësh 60 euro për shpenzime të tjera. Me 60 euro një pensionist nuk mund të përmbushë nevojat as për një javë është e pamundur për tre ditë dhe jo të mendosh të përmbushen nevojat e një muaji,” shpjegoi ekspertia e ekonomisë Romina Radoshiq.
Staf i pamjaftueshëm dhe pa trajnime
Shërbimi i kujdestarisë në qendrat rezidenciale është jetik. Në realitet, raporti i kujdestarit me banorët është shpesh 1 me 8 apo më shumë, ndonëse standardi kërkon 1 me 5.
Për më tepër, shumica e stafit është me kohë të pjesshme, pa trajnim të përshtatshëm për trajtimin e të moshuarve me sëmundje kronike, me çrregullime mendore apo me aftësi të kufizuara.
Sipas auditit, dosjet e stafit shpesh nuk përmbajnë dokumentacion të plotë, mungojnë vlerësimet vjetore dhe nuk ka ndonjë sistem për përmirësimin profesional të punonjësve.
Jetë në kushte të papërshtatshme, Dhoma të mbipopulluara
Shumica e këtyre institucioneve, të moshuarit janë të vendosur në dhoma me 3 ose 4 shtretër, ndonëse sipas standardeve, një dhomë me tre shtretër duhet të ketë minimumi 18 m2 hapësirë të përdorshme.
Në shumicën e rasteve, nuk respektohet as hapësira minimale, as privatësia e nevojshme për dinjitet njerëzor. Të moshuarit ndajnë gjithçka dhomën, ambientet sanitare, dhimbjet dhe heshtjen.
Godinat janë të vjetruara, jo gjithmonë të përshtatura për njerëz me lëvizshmëri të kufizuar dhe kanë nevojë për investime urgjente në infrastrukturë.
“Ça vendi, kudo vendi krimbur është! këtu (*Fier) kanë qenë edhe nga Berati dhe kanë ikur, nga Poshnja ishte njëri, iku po bënë dy muaj. Nuk i pëlqeu kushtet.” Tregoi një prej të moshuarve të azilit të Fierit.
Raste dhune dhe kujdes mendor i munguar
Një pjesë e madhe e banorëve në këto qendra vuajnë nga çrregullime mendore, demencë, depresion, çrregullime ankthi apo sjellje agresive.
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se azilet nuk kanë të angazhuar psikiatër dhe nuk ofrojnë shërbime për këtë kategori. Të gjithë banorët bashkëjetojnë, pavarësisht gjendjes së tyre mendore, gjë e cila rrit rrezikun për konflikte dhe përkeqëson gjendjen e të gjithë komunitetit.
Kategoria që ka probleme të shëndetit mendor është një problem serioz, që shqetësojnë pjesëtaret e azilit përmes zhurmës së vazhdueshme gjatë orëve të natës. Në shumicën e rasteve i vendosin disa persona të sëmurë në të njëjtën dhomë për orë ose ditë të tëra, duke patur edhe raste dhune.
“Privati nuk të lejon po të jesh i sëmurë mendërisht nuk të qasin në azil. Kurse këtu (azili shtetëror) çfarë nuk hynë! Këtu janë gati 20 (persona me probleme të shëndetit mendor).”
“Bëjnë zhurmë, zihen, u bien dyerve, ata (infermieri) iu bënë qetësues!” tregoi një tjetër i moshuar i azilit të Fierit. “I lënë veç e veç apo bashkë në dhomë ( te moshuarit me probleme te shëndetit mendor) Nuk ka kushte veç e veç, bashkë si në koperativë, siç janë kështu i mbledhin bashke në një dhomë”, shprehet i moshuari.
I moshuari në azilin e “Ali Demit” në Tiranë tregon se është dhunuar nga shoku i tij i dhomës, i cili ka probleme të shëndetit mendor. Pavarësisht se është ankuar tek drejtuesja e këtij institucioni, ndaj tij nuk është marrë asnjë masë.
“Kështu ka njerëz që janë me probleme mendore, njëri është skizofren e rrahu shokun e dhomës dhe nuk e qas në dhomë edhe policia nuk ka çfarë ti bëjë. Është psikopat, pijanec, i dhunshëm. Ja shenja e dhunës që kam në krah (*tregon mavijosjen e krahut nga dhuna)”, rrëfen i moshuari i Ali Demit.
Korrupsioni brenda qendrave rezidenciale për të moshuarit
Të moshuarit që kanë humbur çdo shpresë dhe si zgjidhje iu kanë mbetur vetëm qendrat rezidenciale. Shpesh herë për të marrë shërbimin detyrohen t’iu paguajnë ryshfet punonjëseve.
“Dhe aty ku duhet të ketë mbrojtje sociale, pra tek shtëpia e të moshuarve të shfaqen probleme me korrupsionin nga burokratët është një shkelje që kërkon vëmendje të shtuar, pasi ne nuk mund të bëjmë përshtatje ligjore për t’u future në Bashkimin Europian, pra kapitulli 19, por duhet përshtatja ligjore të përkojë me realizime dhe emërtime direkte në shtim fondesh dhe jo më në abuzim fondesh”, tha Romina Radoshiq.
Në rastin e qendrave rezidenciale në Poliçan dhe Tiranë të moshuarit tregojnë se pa paguar ryshfet nuk merret shërbimi i duhur nga punonjësit e institucionit. Në Poliçan njëri prej të moshuarve tregon se kolegut të tij i merrnin paratë punonjëset duke i “futur” duart në xhepa.
“Më tregonin, më ka marrë kaq lekë. E lanin plakun, njëra e lante, tjetra i kontrollonte xhepat sa lekë kishte. Ajo e kishte të plotfuqishëm burrin në Poliçan, në Polici dhe bënte si i donte qejfi. Teuta Guri, e thoshin ata vetë të azilit. Të merrte lekët, na ka marrë kaq lekë. Ishte një pastruese, ajo të merrte lekët, ajo të vidhte, ajo dhe nja 2-3 të tjerë”, tregon një i moshuar i azilit të Poliçanit.
Raste ryshfeti ka edhe në azilin e të moshuarve në “Ali Dem”, punonjëset nuk të ofrojnë shërbimin e duhur nëse nuk jep lekë, kush paguan në xhepat e tyre merr shërbim më mirë se ata që nuk paguajnë asnjë qindarkë.
“Unë nuk kam pension fare, unë marr 125 mijë, 50 i mban azili, 70 i marr unë! Këtu janë vjedhur lekë bam. Nuk kërkojnë kështu direkt, por të kërkojnë duke mos shërbyer, detyrohesh të japësh lekë, kupton? Unë nuk i jap. Ndonjëherë kërkojnë ndonjë kanace. Hajde ndonjë kanace nuk është gjë, ndonjë kanace 1 mijë lekëshe”, tha i moshuari. “M’i vjedhin lekët këto sanitaret, kjo Linda”, tregoi i moshuari i Kavajës.
Ekziston një frymë frike brenda azileve për t’u ankuar dhe për të kërkuar të drejtat. Të moshuarit shpesh herë heshtin duke mos u ankuar për mungesën e shërbimit dhe trajtimin jo dinjitoz për këta njerëz që shpresa e vetme që iu ka mbetur është azili. Në të kundërt rrezikojnë të jetojnë poshtë urave, në rrugë e ndërtesa të braktisura.
“Tani ne po bëjmë muhabet bashkë, nuk dua ta dinë ato që po bëjmë muhabet bashkë, se mua e di çfarë më bënë drejtoresha? Më heq nga azili! Drejtoresha ka 4 vite që ka dalë në pension dhe nuk ikën, në punë shteti mbush moshën e pensioni, ik, duhet të ikësh, nuk të lejon ligji. Mbushe moshën e pensionit ik, lërja vendin tjetrit! “Korrupsion i madh, korrupsion i madh! Ajo I merr, është në zyrë ajo, vete personi, drejtoresha e mbyll derën dhe merr lekët, kamera nuk ka. Hap derën dhe ik”, u shpreh i moshuari.
Trajtimi abuziv, e paimagjinueshmja që ndodh
Ka raportime të brendshme që tregojnë raste ku të moshuarit janë lidhur në shtretër, për të shmangur problemet. Në disa azile, barnat për gjumë përdoren si “zgjidhje” për të menaxhuar sjelljet problematike, në vend të trajtimit profesional. Ky është trajtim çnjerëzor dhe në thelb, abuzim institucional.
Skandali në Azilin e Kavajës, ish-drejtori ushtroi dhunën
Një nga qendra e të moshuarve që ka patur probleme me dhunën dhe jo vetëm, është azili në Kavajë. Njëri prej banorëve të këtij azili ka treguar për “Vetting” se ish-drejtori i azilit e ka goditur me shpullë të moshuarin, një shkelje e cila dënohet me ligj. Nga një institucion i cili duhet t’iu ofrojë mbrojtje sociale dhe siguri shtresës më të pambrojtur, rrezikon të kthehet në një shqetësim serioz për shëndetin.
Burri me bluze blu në karrige: Denisi (ish-drejtori i azilit) më ka rrahur mua, Visi, çuni i Qifes më ka gjuajtur ja këtu, syve.
Gazetari: Kush është ai? Punon këtu?
Burri me bluzen blu ne karrige: Ka qenë këtu drejtor, por ka ikur. Denis Avriku
Gazetari: Pse të rrahu?
Burri me bluzen blu ne karrige: Kot o burrë, pse erdhe në zyrë.
Por përveç dhunës, në qendrat rezidenciale publike janë konstatuar parregullsi me fondet publike për këtë kategori si mungesë transparence me tenderat për ushqim, ilaçe dhe pajisje.
Disa qendra raportojnë mungesë materialesh si detergjentë për rrobat, produkte higjienike dhe sende të domosdoshme për përkujdesjen e përditshme. Por kur paratë mungojnë, mungon edhe shpresa.
Një nga këta tendera është ka si objekt; “Furnizim me ushqime” për Shtëpinë e të Moshuarve në Kavajë me fond limit prej 8 milionë lekësh.
Procedura e tenderimit, që është cilësuar me “flamur të kuq”, është realizuar nga drejtori Fisnik Krasniqi, një funksionar nën juridiksionin e Bashkisë Kavajë.
Sipas të dhënave nga “Openprocurement.al” një shërbim i AIS, tendera me flamur të kuq paraqesin indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanive në fushën e prokurimeve publike. Në këtë rast procedura është zhvilluar me vetëm një operator ekonomik, gjë që ngre dyshime të forta për favorizim dhe mungesë gare.
“Problematika të tilla do të sjellin probleme jo vetëm me kequshqyerjen, por do të sjellin pasoja direkte në cilësinë e jetesës në shtëpinë e të moshuarve “
“Shtëpia e të moshuarve duhet të jetë më e përgjegjshme, dhe këtu ka vend për hetim për të parë si është procesi I tenderimit dhe në çfarë sasie dhe në çfarë vlere është ky proces”, tha Romina Radoshiq.
Me këto fonde do të furnizohej për 1 vit kuzhina me produktet e nevojshme për gatim. Tenderi u publikua më 29 janar 2025 dhe u mbyll në 10 shkurt. Procesi përfundoi pa konkurrencë me vetëm një kompani, e cila u shpall automatikisht fituese.
Kompani fituese ishte “4 S”, që është në pronësi të Xhino Sinanit. “4 S” është një nga firmat më aktive në tregun e furnizimeve publike, nga konviktet e deri te institucionet e burgjeve dhe prej kohësh dyshohet për monopolizimin e këtij sektori.
Një klient i rregullt i Bashkisë Kavajë
Vetëm gjatë vitit 2024, “4 S” ka fituar 74 tendera nga njësitë e qeverisjes vendore, shumica e të cilëve janë identifikuar me “flamur të kuq”. Bashkia e Kavajës është një nga institucionet që ka lidhje të vazhdueshme me këtë kompani.
Në prill 2024, firma fitoi një kontratë 12-mujore me vlerë 1.8 milionë lekë për furnizimin me mish për Shtëpinë e të Moshuarve. Po atë ditë, iu dha edhe një kontratë tjetër për bulmet, me të njëjtën vlerë dhe kohëzgjatje. Përveç ushqimeve, bashkia i ka dhënë kompanisë së Sinanit edhe tenderin për furnizim me lëndë djegëse si dru zjarri dhe pelet.
Ndërsa nevoja për strehim për të moshuarit rritet çdo vit, numri i vendeve në dispozicion mbetet i kufizuar. Qindra aplikime bëhen çdo muaj, por shumë të moshuar mbeten jashtë. Të braktisur nga të afërmit por edhe nga shteti i cili duhet të mundësonte më shumë qendra rezidenciale publike që të kujdeseshin për të moshuarit që nuk mund të jetojnë vetëm në shtëpi ku rrezikojnë të vdesin të harruar.
Vetëm dy prej këtyre institucioneve janë nën administrimin e Shërbimit Social Shtetëror, ndërsa të tjerat janë në varësi të njësive vendore, që shpesh nuk kanë as kapacitetet as burimet për t’i menaxhuar.
Të jetosh është një e drejtë. Por të plakesh me dinjitet nuk është vetëm përgjegjësi personale, por është një detyrim moral i shoqërisë. Madje edhe nëse shoqëria e humbet moralin, ekzistojnë institucione dhe ligje që nuk e përjashtojnë këtë shtresë nga përkujdesi.
Në Shqipëri, sistemi i përkujdeset për të moshuarit është në krizë. Nga mungesa e fondeve, e deri te mungesa e trajtimit njerëzor, azilet tona po bëhen vendqëndrimi i hidhur i një shoqërie që ka harruar të vjetrit.
Në një vend ku respektohet më shumë rruga sesa njeriu, të moshuarit janë kthyer në statistika të heshtura. Por pas çdo numri, ka një histori, një jetë. Një zë që meriton të dëgjohet nga institucionet të cilat duhet të jenë në shërbim të moshës së tretë.