Janë publikuar pamjet nga momenti kur autorë ende të paidentifikuar i bënë atentat Julian Sulos, i njohur si ‘Juli i Pashakos. Siç shihet në këto foto, dy autorë kanë hapur zjarr me kallashnikov në drejtim të 45 vjecarit, i cili mbeti i plagosur në këmbë.
Kujtojmë që ngjarja ndodhi paraditen e djeshme (25 nëntor) në qytetin e Lushnjes, ndërsa pas atentatit autorët janë larguar dhe nuk ka asnjë informacion për ta.
Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se “nuk i njeh personat që e qëlluan dhe madje nuk ka konflikte me askënd”.
Ngjarja
Julian Sulo, i njohur si i forti i Lushnjës i ka shpëtuar një atentati të organizuar ndaj tij në afërsi të spitalit të qytetit. Ai po lëvizte me makinën e tij tip ‘BMV’ në afërsi të spitalit të Lushnjës, kur 3 autorë ende të paidentifikuar i kanë zënë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:40, ndërsa 45-vjeçari Sulo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Plumbat e kallashit që u derdhën drejt makinës së tij e kanë kapur në këmbë, ndërsa ishte i vetëm në mjet. Autorët kanë qenë në makinë në momentin e qitjes dhe kanë qëlluar në lëvizje.
Pak minuta pas atentatit, mjeti i autorëve ‘Nissan’ u gjet i djegur në fshatin Lifaj. Brenda tij është gjetur edhe arma që kanë përdorur për të qëlluar në drejtim të 45-vjeçarit. Policia ngriti menjëherë pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve, te cilat lidhen me konfliktet e hershme mes grupeve kriminale të Lushnjës.
Sulo është shoqëruar në Komisariat për të dhënë dëshminë e tij. “Nuk kam konflikte me asnjë”, ka deklaruar para hetuesve. Ndërkohë në polici janë shoqëruar edhe gjashtë persona.
Julian Sulo njohur ndryshe si “Juli i Pashakos” punon e jeton në Karbunarë të Lushnjës, ku menaxhon një bar–restorant së bashku me familjen.
Ai është rival i Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës. Sulo ka qenë i dyshuar edhe për atentatin e organizuar ndaj nipit të Bares, Xhulio Shkurti, në 2017-ën. Sulo u la i lirë pasi nuk kishte asnjë provë që e lidhte me atentatin, që njihet ndryshe edhe si masakra e Lushnjës.
Për këtë ngjarje, janë dënuar me burg të përjetshëm, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili, vendim i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë më 21 nëntor 2025. Në masakrën e Lushnjës u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, si dhe u plagosjes e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut.


