Ndërsa liderët botërorë, figura fetare dhe miliona besimtarë anembanë globit kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, Kina vazhdon të mos japë asnjë reagim apo deklaratë zyrtare.
Heshtja nga ana e Pekinit vjen në një moment zie për Kishën Katolike dhe botën mbarë, dhe hedh dritë mbi marrëdhëniet historikisht të tensionuara mes Selisë së Shenjtë dhe qeverisë kineze.
Që prej ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1951, çështja e emërimit të peshkopëve ka qenë pika kryesore e përplasjes. Kina ka këmbëngulur se autoriteti shtetëror duhet të miratojë çdo emërim të tillë, ndërsa Vatikani ka mbrojtur prerogativën tradicionale papnore për të caktuar hierarkinë kishtare.
Megjithatë, në vitin 2018 u arrit një marrëveshje e rrallë mes dy palëve, e cila i lejon Pekinit njëfarë ndikimi në procesin e emërimeve, me kusht që Vatikani të mbetet autoriteti përfundimtar. Marrëveshja u zgjat për herë të fundit në nëntor të vitit të kaluar, në një përpjekje për të ruajtur linjat e hapura të komunikimit.
Në atë kohë, Selia e Shenjtë theksoi se ishte e përkushtuar ndaj një “dialogu të respektueshëm dhe konstruktiv” me autoritetet kineze – një qëndrim që tani vihet në provë në dritën e heshtjes së Kinës për ndarjen nga jeta të Papës.
Papa Françesku, i njohur për përpjekjet e tij për të ndërtuar ura dialogu edhe me regjime të vështira, kishte mbajtur një ton të kujdesshëm ndaj Kinës, duke shmangur shpesh kritikat e drejtpërdrejta dhe duke u përpjekur të ruajë marrëdhënie diplomatike me një nga shtetet më të mbyllura për fenë e organizuar perëndimore.
Heshtja aktuale e Pekinit ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes dy palëve dhe pritet me interes nëse autoritetet kineze do të thyejnë heshtjen në ditët në vijim.