Për shkak të rritjes së frikës nga një pushtim i ri rus, por edhe pretendimeve nga Presidenti Vladimir Putin se qeveria ukrainase po kryen “gjenocid” në Donbas, liderët separatistë në Luhansk dhe Donetsk urdhëruan evakuim masiv për në Rusi.
Dhjetëra qytetarë nga qyteti Donetsk në Ukrainën lindore kaluan orë të tëra në autobusë pasi udhëheqësi separatist i mbështetur nga Rusia, Denis Pushilin urdhëroi gratë dhe fëmijët të evakuoheshin në Rusinë jugore për shkak të situatës së sigurisë.
“Kur ai na tha të largoheshim shpejt, të merrnim me vete fëmijët e vegjël, gratë dhe të moshuarit, tha se gjithçka do të shkojë mirë atje dhe nuk duhet të shqetësohemi, fillimisht u frikësuam dhe ja ku jam me vajzën dhe nipin”.
Të evakuuarit thonë se pasi mbërritën në qytetin rus Taganrog ata kanë mbetur për orë të tëra pa ushqim dhe ujë dhe nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta.
“Ata po tallen me ne. Kemi qenë në rrugë për shumë orë. Të gjithë janë të sëmurë, disa me fëmijë të vegjël, njerëz me paterica. Këtu është një gjyshe 90-vjeçare“.
Të premten, autoritetet separatiste ruse njoftuan planet për të evakuuar rreth 700,000 njerëz, duke përmendur frikën e një sulmi të afërt nga forcat ukrainase – një akuzë që Kievi e mohon në mënyrë kategorike.