Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Apartamentet”, duke arrestuar dy shtetas të dyshuar për mashtrime me shitjen e apartamenteve, ndërsa një notere është shpallur në kërkim.
Operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ka ardhur si rezultat i reagimit të shpejtë ndaj dy kallëzimeve të qytetarëve të mashtruar.
Në pranga kanë rënë:
- M. Q., 31 vjeç, i cili dyshohet se i ka marrë një shtetasi 34-vjeçar shumën prej 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në Tiranë;
- N. K., 48 vjeç, i cili ka shitur dy herë të njëjtin apartament, duke përpiluar kontrata të dyfishta.
- Në lidhje me këtë të fundit, është shpallur në kërkim noterja M. D., 57 vjeçe, e dyshuar se ka përpiluar dy kontrata të shitjes për të njëjtën pronë. Policia po punon për lokalizimin dhe kapjen e saj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.