Ankaraja po bën çmos për të ndihmuar në sigurimin e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme mes Ukrainës dhe Rusisë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan sot në një takim me kryeministren italiane, Giorgia Meloni, në kuadër të samitit të liderëve të G20-ës në Afrikën e Jugut, transmeton Anadolu.
Në takimin me Melonin, Erdogan tha se ringjallja e bisedimeve të paqes në Stamboll mund të hapë gjithashtu derën për paqe, thuhet në një deklaratë nga Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë.
Sipas deklaratës, presidenti turk Erdogan ka diskutuar marrëdhëniet, çështjet globale dhe rajonale me kryeministren italiane.
Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së armëpushimit në Gaza dhe të dërgimit të ndihmave humanitare në rajon, duke thënë se formula për paqe të qëndrueshme qëndron në zgjidhjen me dy shtete, dhe se Turqia po bën përpjekje në këtë drejtim.
Gjatë takimit, Erdogan nënvizoi edhe rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit mes Turqisë dhe Italisë me qeverinë libiane.
Erdogan tha se hapat e ndërmarrë për të avancuar bashkëpunimin mes Ankarasë dhe Romës, veçanërisht në industrinë e mbrojtjes, do të vazhdojnë.


