Rubrika “Migjenianët” në emisionin Tak Fak këtë herë solli në vëmendje historinë prekëse të Olgert Talos, i cili jeton bashkë me dy djemtë dhe babain e tij në kushte të mjerueshme në fshatin Tren të Devollit.
Shtimi i vuajtjeve në familjen Talo vjen si pasojë e braktisjes nga bashkëshortja e Olgertit, e cila është larguar duke u lidhur me një burrë tjetër. Dy fëmijët e çiftit, që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor, janë lënë pa kujdes nga nëna e tyre, e cila nuk i ka vizituar që prej kohës kur u largua nga familja.
Olgerti rrëfen se e ka çuar bashkëshorten në spital kur ajo u ndje keq, por pas kësaj ajo nuk është kthyer më, duke i kërkuar që të mos e ndjekë më për shkak të lidhjes së saj të re. Përkundër gjithë kësaj, Olgerti nuk e fyen atë, por shpreh dhimbje për mungesën e kujdesit ndaj fëmijëve.
Komshinjtë e familjes Talo konfirmojnë vështirësitë dhe vuajtjet që ata përballojnë çdo ditë.
Në ndihmë të familjes, programi humanitar “Fundjavë Ndryshe” u sigurua me ushqime dhe veshmbathje për Olgertin dhe djemtë e tij.
Në një telefonatë për emisionin, Kryetari i Bashkisë Devoll, Eduard Duro, u shpreh:
“Jemi në dijeni të rastit, pasi Olgert Talo përfitojnë nga Programi Social i Bashkisë Devoll për shkak të situatës së tyre të vështirë. Ata janë në listën përfituese për programin social të strehimit dhe përmirësimit të kushteve të banimit. Këshilli bashkiak ka miratuar listën emërore ku bën pjesë Olgerti, dhe tani presim miratimin nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Shpresojmë që shumë shpejt të nisë rehabilitimi dhe përmirësimi i banesës së tyre.”
Familja Talo tashmë pret me shpresë ndërhyrjen e institucioneve për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët.