Pas dëshmive të shumta të qytetarëve të Tropojës që denoncuan mungesën e theksuar të mjekëve specialistë, gazetarja e “Tak Fak” Anxhela Gjiriti, hyri brenda ambienteve të Spitalit “Isa Zllami” në Bajram Curri për të verifikuar nga afër situatën.
Pamjet konfirmojnë çdo fjalë të thënë nga qytetarët. Një spital me ambiente të rikonstruktuara, por pa mjekë, pa specialistë dhe me shumë pak kapacitete për të përballuar nevojat bazë të popullsisë.
Takimi i parë në spital ishte me shefen e urgjencës, e cila të drejton menjëherë tek shefi i shërbimit për më shumë informacion.
Në dhomën e mjekut okulist të thonë se ai ka ndërruar jetë dhe që atëherë nuk është zëvendësuar. Vizitat për sytë, sipas stafit, orientohet drejt shërbimeve të ORL-së ose në Gjakovë.
Një tjetër mjek shprehet hapur se janë vetëm 9 mjekë. “Nuk ka as anestezistë, as pediatër, as kardiologë.”
Një mjek i moshuar informon se është radiolog dhe se është “mjeku më i ri në spital”. Ai konfirmon se lindjet kryhen vetëm natyrale, por pa reanimacion kurse operacionet nuk bëhen. Raste të tilla dërgohen në Gjakovë.
Kur pyet në recepsion për zyrën e kardiologut përgjigjia është: Nuk kemi kardiolog. Ka kohë që është larguar”
Mjekët që ende punojnë në spital janë kryesisht pensionistë, disa të ardhur nga qytete të tjera. Njëri prej tyre është 69 vjeç.
Në repartin e imazherisë, zbulohet një fakt tronditës: një nga aparaturat për radiografi është dhuratë nga mjekët e Kosovës. Ekografi i spitalit është jashtë funksionit dhe nuk është zëvendësuar nga shteti shqiptar.
Salla e kirurgjisë ekziston, por pa anestezist, pa kushte. Në sallën e kirurgjisë, infermierja shprehet qartë se ka sallë por nuk ka anestezist.
“I dërgojmë rastet në Kosovë. Është më afër”, thotë ajo.
Gazetarja e “Tak Fak” Anxhela Gjiriti kërkon takim me drejtorin e spitalit, por ai nuk është i pranishëm dhe pas insistimit, takimi zhvillohet me nëndrejtorin, i cili nuk pranon të japë një deklaratë pa autorizim.
E vetmja fjali që pranoi të thotë ishte: “Jemi të vetëdijshëm për mungesën e specialistëve. Kemi bërë kërkesat. Të jesh e bindur që kemi bërë të pamundurën.”
Por kur pyetet për numrin aktual të mjekëve specialistë, datën e fundit kur është bërë kërkesë në ministri dhe përgjigjet zyrtare të marra ai refuzon të japë informacion, duke thënë se do të na kontaktojë më vonë.
Një ish-gjinekologe me përvojë kujton se dikur ishin 22 mjekë specialistë në Bajram Currri. Sot kanë mbetur katër, të gjithë pensionistë”, thotë ajo.
Investigimi i “Tak Fak” brenda Spitalit “Isa Zllami” konfirmon se kriza nuk është perceptim, por realitet i prekshëm. Spitali nuk ka specialistë bazë, si kardiolog, pediatër, neurolog, anestezist apo okulistë.
Operacionet nuk realizohen, pajisjet janë të pakta dhe disa të falura. Stafi është i moshuar, i mbingarkuar dhe pa përforcime të reja dhe rastet urgjente dërgohen në Gjakovë, në një shtet tjetër për të shpëtuar jetë.