Në Belgjikë ka nisur gjyqi për vrasjen e Ardit Spahiut, ku hetuesit lexuan të hënën mijëra mesazhe të shkëmbyera përmes aplikacionit Sky Ecc mes nëntë të pandehurve.
Procesi kundër Franc Gergely, i njohur me nofkën “Çopja”, dhe tetë të akuzuarve të tjerë nisi këtë vit, më 5 janar.
Nga mesazhet e lexuara në seancën e së hënës rezulton se kodi SKY i atribuuar Flobenc Meçjas, i akuzuar si ekzekutori i vrasjes, e kishte ndjekur viktimën prej disa ditësh në Bruksel.
“Shpresoj ta mbarojmë këtë maskara deri në fund të muajit, sepse duhet të kthehem në Shqipëri se do lindë gruaja ime”, i shkruan më 19 nëntor 2020 Flobenc Meçja, Franc Çopjas.
Më 27 nëntor 2020, në orën 17:56 – vetëm dy minuta pas Flobenc Meçja dërgoi një seri emoji-sh: gjashtë gishtërinj të ngritur dhe katër figura njerëzish me krahun lart, të ndjekura nga fjala “Ciao”. Mesazhi ishte drejtuar te Franc Gergelyt (Çopja).
Një pjesë e madhe e mesazheve të lexuara gjatë seancës lidhen, sipas hetuesve, me Flobenc Mecjan dhe Mikael Qosjan. Të dy ishin në mungesë dhe nuk ishin të përfaqësuar gjatë procesit gjyqësor.
Mesazhet e atribuuara Franc Gergelyt ishin dukshëm më të pakta. Megjithatë, sipas organigramit kriminal të prokurorisë federale, kodi në Sky Ecc i Franc Çopjes shërbente si pikë lidhëse mes Flobenc Mecjas dhe Mikael Qosjas.
Seanca gjyqësore do të ndërpritet të martën dhe do të rifillojë të mërkurën, kur pritet të ketë më shumë qartësi mbi rrjedhën e ngjarjeve dhe rolin e secilit të akuzuar.


