Sulmuesi i Chelseat, Mykhailo Mudryk, ka kaluar testin e detektorit të gënjeshtrës këtë javë, sipas shefit të Shakhtarit, Sergei Palkin. Ukrainasi u pezullua përkohësisht nga Federata e Futbollit të Anglisë në mes të dhjetorit pas një testi rutinë të urinës në të cilin ai rezultoi pozitiv për një substancë të ndaluar për rritjen e performancës, meldonium. 24-vjeçari ka mohuar çdo gjë që ka lidhje me një përdorim të qëllimshëm dhe është zotuar të dëshmojë pafajësinë e tij, por nuk ka luajtur për Chelsean që nga muaji nëntor i vitit të shkuar.
Tani, Palkin ka pohuar se lojtari ka bërë një test poligrafi në një përpjekje për të provuar pafajësinë e tij, gjë që do ta lejonte atë të rikthehej të lunate edhe një herë. “Kam folur me Mudryk shumë herë që kur u ngrit kjo çështje dopingu për të”, deklaroi Palkin ekskluzivisht për GiveMeSport.
“Ai nuk e kupton se si mund të ketë ndodhur. Ai nuk e ka idenë. Asnjë ide fare. Kështu që avokatët e tij organizuan që ai të bënte një test gënjeshtre, të cilin ai e kaloi. Kjo do të jetë pjesë e provave që tregojnë se ai nuk ka bërë ndonjë gjë të gabuar qëllimisht”. “Mudryk ka qenë i qartë, nuk është faji i tij që ai rezultoi pozitiv. Tani duhet të zbulojmë se si ka ndodhur kjo dhe kush e bëri këtë. Avokatët e tij po përpiqen ta zbulojnë”.
“Nuk ka ende asnjë rezultat nga mostra B, kështu që çdo gjë mbetet ende e hapur për këtë çështje. Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur. I uroj Mudryk gjithë të mirat. Ai është një profesionist i lartë dhe një person shumë i mirë. Ai duhet të mbrohet”, ka shtuar më tej ai.
B.T (Dosja.al)