Pas sulmit terrorist të ndodhur një ditë më parë në Kishën e Profetit Ilia në Damask, ku humbën jetën të paktën 22 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturi Joan, ka reaguar përmes një deklarate publike, duke shprehur ngushëllime dhe solidaritet të plotë me komunitetin ortodoks të Sirisë.
“Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën,” thuhet në deklaratë.
Kryepeshkopi dënoi ashpër aktin e dhunës në një moment dhe vend të shenjtë siç është koha e lutjes dhe shërbesa liturgjike. Ai citoi edhe fjalët e Kryepeshkopit të ndjerë Anastas, duke theksuar:
“Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve.”
Në emër të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, si dhe mbështetjen për Patriarkun e Antiokisë, z. Joan dhe mbarë komunitetin ortodoks të Sirisë.
“Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve,” vijon më tej deklarata.
Duke iu referuar përvojës shqiptare të bashkëjetesës ndërfetare, Kryepeshkopi Joan theksoi se paqja dhe mirëkuptimi ndërmjet feve është e vetmja rrugë për të ardhmen:
“Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës.”
DEKLARATË E KRYEPISKOPIT TË TIRANËS, DURRËSIT DHE GJITHË SHQIPËRISË, JOANIT, PËR SULMIN TERRORIST NË KISHËN E PROFETIT ILIA NË DAMASK
Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi ditën e djeshme gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor. Sipas fjalëve të urta të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas: “Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt”.
Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, z. Joan dhe për të gjithë Komunitetin Orthodhoks të Sirisë. Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës. Bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë.