Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar lidhur me ndërprerjen e sinjalit të News24 për 10 ditë si edhe për zaptimin e godinave të Focus Media News dhe Panorama Group nga shoqëria Kayo.
Përmes një deklarate zyrtare Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se ndërprerja e sinjalit të transmetimit për disa ditë të News 24 ngre pyetje serioze në lidhje me pluralizmit mediatik dhe lirisë së fjalës në Shqipëri.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kujton se respektimi i standardeve evropiane mbi lirinë e medias është një detyrim themelor në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Një media e lirë dhe e pavarur është garantuese e demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Për këyë arsye ata u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse të sigurojnë kushtet për një mjedis mediatik të hapur dhe pluralist, të lirë nga çdo formë presioni apo ndërhyrjeje politike ose ekonomike.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë gjithashtu bën me dije se do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të ngrejë zërin në mbrojtje të lirisë së medias, si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Deklarata e plotë
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e tij në lidhje me zhvillimet e fundit që kanë çuar në kufizime të lirisë së medias në Shqipëri, duke marrë si shembull mbylljen e njërit prej transmetuesve më të mëdhenj të lajmeve në vend, News 24.
Liria e shprehjes dhe e shtypit janë gurët themelorë të çdo shoqërie demokratike. Çdo përpjekje për të heshtur zërat e pavarur dhe kritikë kërcënon jo vetëm transparencën, por edhe besimin e qytetarëve në institucione.
Ndërprerja e sinjalit të transmetimit për disa ditë të Neës 24 ngre pyetje serioze në lidhje me gjendjen e pluralizmit mediatik dhe lirisë së fjalës në Shqipëri. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kujton se respektimi i standardeve evropiane mbi lirinë e medias është një detyrim themelor në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Një media e lirë dhe e pavarur është garantuese e demokracisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.
Në këtë drejtim, BE, OSBE, Shtetet e Bashkuara, si dhe misione të tjera diplomatike dhe organizata ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, kanë shprehur hapur shqetësimet e tyre, duke bërë thirrje për transparencë të plotë, respekt për sundimin e ligjit dhe garanci për funksionimin e lirë të medias. Ky vëmendje ndërkombëtare tregon se çështja e lirisë së medias nuk është vetëm një shqetësim i brendshëm, por edhe një tregues i drejtpërdrejtë i besueshmërisë demokratike të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare.
U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse të sigurojnë kushtet për një mjedis mediatik të hapur dhe pluralist, të lirë nga çdo formë presioni apo ndërhyrjeje politike ose ekonomike.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën dhe të ngrejë zërin në mbrojtje të lirisë së medias, si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.