Eksperti ligjor Franc Nuri ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar prej më shumë se 10 ditësh me godinën e televizionit News24, e cila vijon të mbahet e pushtuar nga kompania ushtarake “KAYO” dhe policia ushtarake.
Në një intervistë nga studiot e reja të News24 me gazetarin Renaldo Salianji, Nuri e cilësoi këtë veprim si një shkelje të rëndë të ligjit dhe Kushtetutës së Shqipërisë.
Sipas Nurit, paligjshmëria ka nisur që më 9 gusht, kur “KAYO” mori nën kontroll godinën pa asnjë paralajmërim dhe në mënyrë të befasishme.
“Kompania ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin. Fillesa e gjithë kësaj situate është një VKM që i jep pronën ‘KAYO’-s, pa miratimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një kusht i domosdoshëm sipas Kushtetutës dhe ligjit për qeverisjen vendore,” u shpreh Nuri.
Ai theksoi se pa këtë dakordësi nga bashkia, qeveria nuk kishte të drejtë të delegonte pronën dhe çdo akt i mëvonshëm është i pavlefshëm.
“Kjo është një shkelje e rëndë. VKM-ja është e paligjshme dhe nuk mund të merret si bazë për veprime të tjera. Cënohet drejtpërdrejt e drejta e pronës dhe çdo hap i ndërmarrë më pas është i cënueshëm ligjërisht,” tha ai.
Eksperti ligjor shtoi se veprimet e “KAYO”-s, e cila ka zbatuar vendimin e qeverisë në mënyrë të njëanshme, pa përfshirë gjykatën apo shërbimin përmbarimor, përbëjnë vetëgjyqësi dhe abuzim me ligjin.
Nuri gjithashtu denoncoi mosrespektimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila kishte urdhëruar që gazetarëve të News24 të mos u ndalohej hyrja në godinë – një pronë që nuk është ligjërisht në zotërim të “KAYO”.
“Kemi të bëjmë me një rast të rëndë dhe skandaloz. Këtu po cënohet liria e medias, prona dhe mjetet e punës së gazetarëve, përfshirë dosjet investigative. Ky televizion ka emisione që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Asnjë autoritet nuk ka dalë të sqarojë se çfarë është bërë me to,” deklaroi Nuri.
Franc Nuri: Kushtetuta që mbron pronën private dhe ligji për qeverisjen vendore e ka të përcaktuar që do të duhet këshilli bashkiak të jepte dakordësinë që kjo pronë e cila i përkiste bashkisë, do të duhej të jepte dakordësinë në mënyrë që qeveria ta delegonte, duke marrë në fillim miratimin.
Kjo gjë nuk ka ndodhur, është tejkalim dhe shkelje e rëndë ligjore dhe një VKM e tillë smund të merrej parasysh, kjo cënon të drejtën e pronës dhe cdo akt i marrë më pas është i cënueshëm.
Ne e kuptojmë dhe urgjencën që mund të ketë patur kompania private që ka përdorur këtë mekanizëm duke kapërcyer kompetencat, një vendimarrje e veprim i kryer të shtunën, ditë pushimi zyrtar në orën 6 të mëngjesit.
Në këtë rast duhet ti drejtohesh me shkrim, duhet ti lësh një afat të arsyeshëm, më pas duhet ti drejtohesh gjykatës dhe duhet të marrë formë të prerë për lirimin e godinës, atëherë merret vendimi dhe i dërgohet shërbimit përmbarimor. Hapi zyrtar që duhet të ndiqte KAYO duhet të kalonte në gjykatë më pas në përmbarim shtetëror ose privat,. Nuk mund ta zbatosh vetë dhe me forcë, megjithëse e quan veten pronar.
Megjithëse je kompani dhe kontrollohesh nga entitetet qeveritare, kjo nuk të jep të drejtë që të kërkosh ndihmë te policia e shtetit por ti drejtohesh gjykatës si cdo individ.
Kjo tregon se ka vetëgjyqësi, shkelje, shpërdorim detyre, duke e marrë të drejtën e vet me forcë. Ky është rast i rëndë skandaloz me cënimin e lirisë së medias, me cënimin e pronës, sendeve të gazetarëve, dosjet investigative, ky tv ka disa emisione investigative, që nuk dihet ku kanë përfunduar. Ska një person që të dalë të thotë ku kanë shkuar. Cdo veprim që po kryhet prej disa ditësh është në paligjshmëri totale.
Nuk po zbatohet vendimi i gjykatës së Tiranës për aksesimin e gazetarëve në ambientin që nuk është pjesë e KAYO-s.