Sulmi ndaj News24 dhe mediave të tjera të Focus Media News ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke marrë jehonë në mediat ndërkombëtare.
Televizioni polak TVP World ka raportuar gjerësisht mbi operacionin policor, duke theksuar shqetësimin e institucioneve të lirisë së shtypit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas shkrimit të TVP World, operacioni policor ndaj një prej grupeve më të mëdha mediatike në Shqipëri është dënuar gjerë nga organizatat e gazetarëve në rajon.
Media polake shkruan se “policia rrethoi godinën e Focus Media News, ndërpreu energjinë elektrike dhe sinjalin e News24, duke penguar gazetarët të hynin në redaksi e të vijonin punën. Ngjarja, sipas raportimit, është parë si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit”.
TVP World i kushton hapësirë të veçantë reagimit të Rrjetit SafeJournalists, që përfaqëson shoqatat dhe sindikatat e gazetarëve nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratën e tyre, ata kërkojnë heqjen e menjëhershme të bllokadës, rikthimin e energjisë dhe garantimin e aksesit të lirë të gazetarëve në vendin e punës, si dhe shpjegim publik nga autoritetet mbi bazën ligjore të këtij veprimi.
“Çdo masë ndaj medias duhet të ndërmerret vetëm në përputhje me procedurat ligjore, nën mbikëqyrjen e gjykatës dhe me ndërhyrje minimale në aktivitetin gazetaresk,” citon TVP World reagimin e organizatës.