Thethi, një nga destinacionet më të bukura dhe të frekuentuara turistike të Shqipërisë, është shndërruar këto ditë në epiqendrën e një situate të tensionuar që ngjan më shumë me një zonë konflikti sesa me një vend pushimi.
Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë të mbrojtur ka përshkallëzuar përplasjet me banorët, duke kulmuar ditën e sotme me një incident të rëndë: persona ende të paidentifikuar kanë goditur me kokteje molotov mjetet e IKMT-së dhe kanë dëmtuar urën kryesore prej druri në lagjen “Gjelaj”.
Pamjet nga terreni tregojnë një situatë të pazakontë për një destinacion turistik: forca policie të armatosura me armë automatike, banorë të irrituar dhe një atmosferë e ndezur në kulmin e sezonit veror.
Fatmirësisht, deri më tani nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme, ndërsa imazhi i Thethit si një atraksion i qetë dhe mikpritës për turistë vendas e të huaj po pëson goditje të rëndë.