Ish-Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Dritan Palnika është një nga personat e pyetur nga SPAK në kuadër të hetimeve për sulmin kibernetik ndaj këtij institucioni.
Burimet për News24 konfirmojnë se Palnika ka lidhje të afërta familjare me Agim Ismailin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, i cili akuzohet si anëtar i grupit kriminal që dyshohet se qëndron pas hakerimit të SPAK dhe nxjerrjes së materialeve hetimore të lidhura me figura të politikës dhe biznesit. SPAK dyshon se Ismaili materialet e siguruara nga hakerimi ia ka kaluar kushëririt të tij, Dritan Palnika.
Për Agim Ismailin, GJKKO ka nisur tashmë procesin gjyqësor. Ai akuzohet për përfshirje në veprimtari kriminale të strukturuar, ndërhyrje të paligjshme në sisteme kompjuterike dhe sigurim e shpërndarje të të dhënave hetimore, akuza që SPAK i konsideron pjesë të një skeme të organizuar për goditjen e institucioneve të drejtësisë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rolin e personave të përfshirë, si dhe çdo lidhje të mundshme që mund të ketë ndikuar në realizimin dhe pasojat e këtij sulmi të rëndë ndaj sistemit të drejtësisë.


