Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka uruar kryeministrin Rama për fitoren e mandatit të katërt.
Me anë të një postimi në X, Zelensky i uron suksese në shërbimin ndaj popullit, ndërsa thotë se pret me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Po ashtu, Zelensky thotë se vlerëson qëndrimin e Ramës për nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën.
“Urime Edi Ramës dhe Partisë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj suksese në shërbimin ndaj popullit shqiptar.
Ne e vlerësojmë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet përmes një armëpushimi të plotë dhe pa kushte.
Pres me padurim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis vendeve tona në të mirë të të dy kombeve tona”.