Ministrja e Jashtme suedeze, Maria Malmer Stenergard deklaroi se është e zhgënjyer që ndihma e vendit të saj nuk po mbërrin tek ata që kanë në nevojë në Gaza dhe tha se përdorimi i kësaj metode nga Izraeli është një krim lufte, raporton Anadolu.
Në konferencën për media në kryeqytetin Stokholm, Stenergard tha se Suedia ka dyfishuar ndihmën e saj humanitare për Gazën. Ajo theksoi zhgënjimin e saj që Izraeli po pengon ndihmën të arrijë në Gaza. “Ajo që është e rëndësishme është se ushqimi, ilaçet dhe uji të mbërrijë tek popullata civile. Pengesa e kësaj dhe përdorimi i saj si një metodë lufte është një krim lufte”, tha Stenergard.
Ajo rikujtoi se qeveria suedeze i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) të vendosë sanksione ndaj disa ministrave ekstremistë në qeverinë izraelite.
“Ne i kemi dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, për të vendosur sanksione ndaj disa ministrave ekstremistë në qeverinë izraelite. Shoh një qëndrim krejtësisht të ndryshëm ndaj Izraelit në Këshillin Evropian krahasuar me disa javë më parë, ka zhgënjim shumë më të madh dhe disa vende kanë ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm për të ushtruar më shumë presion mbi qeverinë izraelite. Kështu që nuk dua të përjashtoj asgjë, por e di se do të jetë e vështirë të arrihet unanimitet”, tha Stenergard.
Kryediplomatja suedeze shtoi se kanë parë imazhet e tmerrshme të fëmijëve që vuajnë në Gaza dhe tha se janë jashtëzakonisht të zhgënjyer nga kjo.
“Suedia do të vazhdojë të këmbëngulë për vendosjen e sanksioneve të BE-së kundër ministrave ekstremistë që vazhdojnë politikën e vendbanimeve të paligjshme dhe që kundërshtojnë në mënyrë aktive zgjidhjen e ardhshme me dy shtete. Suedia do të mbështesë punimet për më shumë sanksione të BE-së kundër kolonëve ekstremistë që kryejnë akte dhune kundër civilëve”, deklaroi Stenergard.