Qeveria ka miratuar metodologjinë e re për subvencionimin e konsumit të ujit për familjet në nevojë. Skema parashikon që përfituesit e ndihmës ekonomike dhe kategori të tjera sociale të mbështeten me mbulimin e plotë të konsumit jetik që përllogaritet deri në 5 m³ ujë në muaj, së bashku me tarifën fikse dhe kostot për kanalizimet e trajtimin e ujërave të ndotura.
Zbritja aplikohet automatikisht në faturat mujore dhe pa nevojë për aplikim nga qytetarët. Shoqëritë ujësjellësve janë të detyruara të zbatojnë skemën, teksa ngarkohet AKUK (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve) që të kontrollojë përdorimin e fondeve publike. Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve në vështirësi dhe të garantojë akses të barabartë në një shërbim jetik siç është uji i pijshëm.
SI DO NDAHEN PARATË
Në thelb, metodologjia e publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon që shteti të mbulojë konsumin bazë të ujit për disa kategori familjesh në nevojë, në një sasi prej deri në 5 metër kub në muaj për çdo kontratë, së bashku me tarifën fikse, atë të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura urbane. Ky është një ndryshim i rëndësishëm i bërë në metodologji për mënyrën se si jepet subvencioni i ujit të pijshëm. Skema përfshin të gjitha familjet që përfitojnë nga ndihma ekonomike sipas legjislacionit në fuqi, por edhe kategori të tjera sociale, si personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit pa mbështetje apo individë në kushte të vështira.
Në total, bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish, të cilët nga muaji janar i këtij viti kanë filluar të ndiejnë ndikimin e kësaj mase në buxhetin e tyre familjar pasi skema është implementuar nga viti i shkuar. Ajo që e bën këtë skemë edhe më efektive është fakti se zbatimi i saj bëhet automatikisht. Çdo muaj, bashkitë i dërgojnë shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve listat e individëve përfitues, dhe këto të fundit janë të detyruara të aplikojnë uljen përkatëse në faturat mujore të ujit. Qytetarët nuk kanë nevojë të aplikojnë apo të paraqesin dokumente – ndihma vjen pa burokraci, në mënyrë të organizuar dhe të drejtë. Por përtej lehtësimit të drejtpërdrejtë financiar, skema synon të garantojë një standard minimal jetese për të gjithë.
Uji i pijshëm, i konsideruar si një e drejtë bazë e njeriut, merr në këtë rast trajtën e një politike sociale konkrete, e cila ndihmon në mbrojtjen e shëndetit dhe dinjitetit të familjeve më të brishta. Sipas metodologjisë, subvencioni jepet vetëm një herë për çdo familje, edhe nëse ka më shumë se një anëtar që përmbush kriteret. Për më tepër, shoqëritë e ujësjellëskanalizimeve që nuk kanë nënshkruar kontratën e performancës me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve nuk do të rimbursohen nga shteti, por mbeten të detyruara të zbatojnë zbritjen për qytetarët.
MONITORIMI
Në këtë rast, kostot mbulohen nga vetë fondet e shoqërisë, deri në lidhjen e marrëveshjes me AKUK-në. Në rast se pas subvencionimit për familjet në nevojë mbetet fond i papërdorur, ai mund të shfrytëzohet për mbulimin e kostove të energjisë elektrike nga shoqëritë UK, por vetëm në rastet kur ato prodhojnë mbi 75% të ujit përmes ngritjes mekanike. Skema shënon gjithashtu një përparim në drejtim të transparencës dhe kontrollit të fondeve publike.
AKUK ka të drejtë të ushtrojë kontroll mbi mënyrën e përdorimit të subvencioneve nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, duke garantuar që fondet të përdoren sipas destinacionit dhe që ndihma të mos keqpërdoret. Në një kohë kur shumë familje përballen me rritjen e çmimeve dhe vështirësi ekonomike, skema e re për subvencionimin e ujit sjell një ndihmë konkrete dhe të menjëhershme. Ajo i jep një kuptim të ri politikës sociale në Shqipëri, duke e zhvendosur nga konceptet e përgjithshme në masa të matshme, të dukshme dhe të ndjeshme për qytetarët. Në fund, kjo nuk është thjesht një politikë e re financiare është një mënyrë më humane e të bërit politikë publike. Dhe për familjet që çdo muaj përballen me kufizime buxhetore, fakti që nuk duhet të zgjedhin mes një fature uji apo ushqimit bazë, është një ndryshim i vërtetë në jetën e përditshme.
KATEGORITE QE PERFITOJNE
Përfitues janë të gjitha familjet dhe individët që janë subjekt i ndihmës ekonomike sipas nenit 7 të ligjit nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kjo përfshin:
• Familjet me ndihmë ekonomike
• Personat me aftësi të kufizuara
• Pensionistët pa të ardhura të mjaftueshme
• Individët pa mbështetje familjare apo sociale
/Gazeta Panorama