Pas orës 14:00 të së premtes, zona e Belshit dhe Dumresë u përfshi nga një stuhi e pazakontë, e shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe breshëri, erëra të fuqishme dhe temperatura në ulje të menjëhershme, gjë që ka shkaktuar vështirësi serioze në qarkullimin rrugor.
Reshjet intensive kanë paralizuar lëvizjen në disa akse kryesore, ndërsa një pjesë e rrugëve është përmbytur për shkak të pamundësisë së kolektorëve për të përballuar sasinë e madhe të ujit. Kjo ka krijuar situata të rrezikshme për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Erërat e forta kanë penguar gjithashtu ndërhyrjet e shpejta nga ekipet e emergjencës, duke shtuar nivelin e rrezikut në terren. Deri më tani, nuk raportohen dëme në njerëz apo dëmtime serioze në infrastrukturë, por autoritetet lokale kanë bërë apel të fortë për të shmangur çdo lëvizje të panevojshme.
“Qëndroni në banesë derisa kushtet atmosferike të stabilizohen”, thuhet në njoftimin e bashkisë, ndërsa garantohet gatishmëri për ndërhyrje në rast emergjence dhe informim të vazhdueshëm për ecurinë e motit.
Fenomeni i sotëm konsiderohet si një nga stuhitë më intensive të regjistruara në këtë rajon. Kujtojmë se edhe më herët gjatë këtij sezoni, në qytete si Durrësi, stuhitë e ngjashme kanë shkaktuar ndërprerje të trafikut dhe lundrimeve.