Në vend të lehtësimit të procedurave për studime postdiplomike, ish kryeministri Ramush Haradinaj me një udhëzim administrativ i ka obliguar studentët që gjatë kohëzgjatjes së studimeve t`i nënshtrohen provimit në gjuhë të huaja, anipse ata studiojnë në gjuhën shqipe.
Të gjithë studentët e institucioneve të arsimit të lartë publik dhe privat në nivelin master dhe të doktoratës, pavarësisht drejtimit që kanë zgjedhur, këtë vit akademik 2019/2020, janë duke iu nënshtruar testeve të njohjes së gjuhëve të huaja: angleze, frënge, gjermane, italiane dhe spanjolle, anipse studimet e tyre i vijojnë në gjuhën shqipe.
E tërë kjo ka ardhur pas një udhëzimi administrativ të nxjerrë nga ish-Kryeministri Ramush Haradinaj në mars të vitit 2018, raporton RTK.
Edhe pse ky udhëzim ka filluar së zbatuari në vitin 2019, në faqen zyrtare të Qeverisë, udhëzimi nuk ka nënshkrimin e ish-kryeministrit Haradinaj, anipse si i tillë sipas nenit 5, hyrja në fuqi e udhëzimeve të nxjerra nga Qeveria bëhet 7 ditë pas nënshkrimit të kryeministrit të asaj periudhe kohore.
Pavarësisht kësaj institucionet e arsimit të lartë u obliguan që ta zbatojnë këtë udhëzim. Drejtues të Universitetit të Prishtinës përmes një vendimi, obliguan studentët që t’i nënshtrohen provimit të gjuhëve të huaja.
Edhe pse drejtuesit e UP-së e përqafuan këtë vendim dhe filluan ta zbatojnë atë kërkuan nga inspektorët e arsimit në Ministrinë e Arsimit që të bëjnë një inspektim tematik lidhur me “Udhëzimin Administrativ 03/2018 për gjuhët e huaja”.
Inspektorët e Ministrisë së Arsimit kishin konstatuar se ky udhëzim nuk korrespondon me: nenin 47 të kushtetutës, me nenin 2 të ligjit për arsimin e lartë; statutet e bartësve të arsimit të lartë; nenin 48 të statutit të UP-së.
Bazuar në këto gjetje, inspektorët rekomanduan që kryeministri Haradinaj të shfuqizojë këtë udhëzim dhe se pranimi i studentëve të bëhet sipas kritereve të ligjit të arsimit të lartë.
Por në të njëjtën ditë kur u nxor ky procesverbal i inspektorëve të arsimit, më 29 nëntor 2019, kryeinspektori Dëfrim Gashi në MASHT, nëpërmjet postës elektronike u drejtohet menaxhmentit të UP-së, që të injorojnë këtë, pasi sipas tij rekomandimet në procesverbal i tejkalojnë kompetencat e inspektorëve të arsimit.
E zyrtarë të UP-së, vënë në dukje se zbatimi i këtij udhëzimi kërkon ndryshime statutare.
Hysen Bytyqi, prorektor për mësim dhe çështje për studentë ka thënë se, “ky dokument i sjellë nuk është forma e duhur pa një debat, pa një pjekuri të gjithë kësaj situate, pa një diskutim të vërtetë me studentë dhe të gjitha palët e interesit”.
Studentët e UP-së dhe përfaqësuesit e tyre vendimet e tilla i cilësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut.
Arif Sopa. student në Drejtimin Teknologji Ushqimore. Ka deklaruar se kjo “nuk është e drejtë, më e drejtë do të ishte nëse një pjesë e provimit pranues për master do të ishte edhe një pjesë në gjuhën angleze, ku aty të shihet studenti a është i përgatitur për gjuhën angleze apo jo”
Kurse, Edon Nishori, nënkryetar i Unionit Demokratik Studentor ka shtuar, “neve na ka ardhur një vendim arbitrar nga zyra e kryeministrit, i cili është i papranueshëm për çdo student, jo për shkak që nuk duhet mësuar gjuha por mënyra se si ka ardhur është krijuar vetëm një lloj monopoli ku vetëm disa kurse të caktuara kanë të drejtë të lëshojnë atë certifikatë”
Nxjerra e këtij udhëzimi administrativ nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike po cilësohet si i jashtëligjshëm.
Arbër Fetahu, hulumtues në GSJP ka thënë se një kompetencë e tillë i takon vetëm Ministrisë së Arsimit dhe Agjencisë Kosovare për Akreditim, e cila është autoritet i pavarur në marrjen e vendimeve të saj. “Pra, kryeministri nuk ka asnjë kompetencë për marrjen e vendimeve të tilla në fushën e arsimit të lartë, e kjo edhe bazuar në rregulloren e ndarjes së përgjegjësive të Qeverisë. Çdo ndërhyrje në këtë rast është e jashtëligjshme, qoftë edhe nëse vije nga kryeministri apo ndonjë institucion tjetër”, ka thënë ai.
Për t’iu nënshtruar njëherë provimit në gjuhë të huaja, studentët duhet të paguajnë nga 70 deri në 120 euro.