Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, ka theksuar se çertifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit mund të zgjasë deri në muajin dhjetor.
Po ashtu. ajo ka shtuar se mund të ketë rinumërim të përgjithshëm të votave dhe pas ankesave nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë.
Një vonesë kaq e madhe nuk ka ndodhur që prej zgjedhjeve nacionale të 12 dhjetorit të vitit 2010. Publikimi i rezultateve përfundimtare atë vit vonoi për shkak të rivotimeve në disa komunave ku ishin vërejtur parregullësi të mëdha. Publikimi i rezultateve zgjati deri në muajin shkurt të vitit 2011.
Sot Gjykata Supreme e Kosovës vendosi në favor të kërkesës së VV’së për numërim të mbi 4 mijë votave të ardhura nga diaspora. Kështu, publikimi i rezultateve përfundimtare do të shtyhet ende.
Zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ishin cilësuar si më të mirat të organizuara në vendin tonë. Gjithçka shkoi mirë dhe kishte vetëm ca incidente të vogla. Zyra e BE’së në Kosovë lavdëroi procesin zgjedhor. Lëvdata për frymën demokratike në zgjedhje erdhën edhe nga shtetet e rajonit.
Edhe reagimi i partive që dolën humbëse në këto zgjedhje ishte për tu marrë shembull. Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, zyrtarë të AAK’së dolën në konferencë për medie dhe pranuan humbjen si dhe u pajtuan me rolin në opozitë. Të njëjtën e bënë edhe zyrtarë nga PDK’ja.
Por vonesat e shumta dhe parregullsitë në numërimin e votave nga ana e komisionerëve kanë bërë që ky imazh i mirë i organizimit të zgjedhjeve të cënohet.
Problemet me formularë, të vëna në pah nga koalicioni AKR-Nisma-PD, dhe helmimi i vëzhguesve të cilit ishin të caktuar të numëronin votat e ardhura nga Serbia vetëm sa i janë shtuar bindjes së publikut të gjerë se procesi i numërimit ka pasur probleme.
Rasti i helmimit ishte bërë lajm edhe në medie botërore. Numërimi i këtyre votave pastaj nga komisionerët me maska, që ngjasonin sikur ishin punëtorë në Çernobil, krijoi një përceptim të gabuar nga ndërkombëtarët.
Shoqëria civile ka kërkuar që komisionerët që kanë bërë manipulime me numërim të votave të deputetëve të dënohen. Mbi 800 vendvotime kanë shkuar në rinumërim dhe dallimet në vota të deputetëve janë vënë në pah. Edhe vetë Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, tha se puna e pistë e komisionerëve ka bërë që të ketë një numër kaq të madh të rinumërimeve në vendvotime.
Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë paralajmëruar që ligji thotë se komisionerët që potencialisht kanë bërë manipulime me numërim të votave mund të përballen me burgim deri në 5 vjet.
Tanimë është e sigurt se shpallja e rezultateve përfundimtare do të zgjasë më shumë se një muaj.
Në dy zgjedhjet e kaluara përfundimtare rezultati përfundimtar ishte shpallur më herët. Në vitin 2017, zgjedhjet nacionale ishin mbajtur në datën 11 qershor, dhe rezultatet ishin shpallur më 29 qershor, një vonesë prej 18 ditësh. Ndërkohë një kohë e njëjtë mes mbajtjes së zgjedhjeve dhe shpalljes së rezultateve ishte edhe në vitin 2014. Zgjedhjet nacionale ishin mbajtur me datën 8 qershor në vitin 2014 dhe rezultatet përfundimtare kishin dalur me datën 26 qershor. /Express