Prindërit e 23-vjeçarit Albert Togu, kanë kallëzuar në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës, duke i bërë përgjegjës për vdekjen e të birit, i cili ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Babai i tij, Kujtim Togu, tha për News24 se djali ndodhej i shtruar në spitalin e Traumës si pasojë e një aksidenti rrugor. Ai ka kallëzuar në prokurori mjekët, sipas së cilit djali i tij ndërroi jetë nga neglizhenca. I tronditur, Kujtim Togu thotë se trupi i të birit u transportua në morg por ende nuk i është bërë autopsia.
Sipas tij, mjekësia ligjore nuk mund të kryejë autopsinë pa kartelën e të ndjerit, e cila nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.
“Kam bërë një kallëzim në Prokurori se djali im ka ndërruar jetë nga neglizhenca e mjekëve, e kanë nënvlerësuar punën mjekët. Ato thonë që ka pësuar tromboze në zorrën e trashe, kur e bën operim thanë që kishin pankreasin, ishte i ënjtur, i skuqur dhe i ka krijuar shqetësime.
Të ishte ashtu, nuk krijon ndonjë probleme, kishte qenë i qartë, ata nuk e kanë kuptuar dhe ka helmuar organizmin. E kanë kuptuar kur mori fund çdo gjë. Unë kërkoj që nesër kam shpallur varrimin, kërkoj të marr kufomën, t’i bëhet autopsia. Unë nuk e bëj varrimin dot pa kufomë, këta nuk ma japin.
Nxjerrin arsye pas arsye, ndjerin justifikime. Njëherë duhet kartela, njëherë nuk është kryeinfermieri, nuk e japin kartelën, nuk e di pse Spitali i Traumës nuk e jep kartelën”, përfundoi ai.
I riu u aksidentua një javë më parë në Gjorm të Kurbinit, teksa ishte duke udhëtuar në automjet me 2 persona të tjerë.


