Në Shënjestër/ Por komunikimet në Sky ECC kanë zbuluar pikërisht atë që është përballja më e ashpër midis dy prej klaneve më të rrezikshme që kanë sunduar qytetin për më shumë se dy dekada: Çela dhe Çapja.
Ardian Çapja, në njërën anë që thuhet se sundoi për më shumë se dy dekada qytetin, por që një ngjarje e ndodhur në Tregun Agroushqimor, dëshmoi në fakt se një tjetër emër i botës së krimit po ngjitej shpejt në krye, për t’i zënë vendin. Ky emër që do të ishte ishte Suel Çela.
Personazhi që tashmë nuk pyeste më as për shtetin. Një figurë dominante e krimit të organizuar që po sfidonte hapur grupet kriminale në këtë qytet dhe sidomos klanin kundërshtar të drejtuar nga Ardian Çapja. Një far uest, me viktima të shumta, ku tytat e armëve qëllonin tashmë pa dallim mbi këdo,
Ku mandata tashmë i kishte ardhur vetë ‘xhaxhait’
Ashtu siç në të vërtetë Suel Çela e thërriste në bisedat me të tijët, Ardian Çapjan. Njeriun të cilin ai ishte betuar ta shuante me fis dhe me farë. Mllef që i kishte shkuar në vesh edhe vetë ‘xhaxhait’, që kishte vendosur prej kohësh të mos dilte më nga fortifikata e tij në Elbasan. Një fortesë e rrethuar nga një gjelbërim i lartë, ku ishte e vështirë të penetroje vështrimin. Aty nga ku mund të ndjeje vetëm frymën e tij, në ato pak momente kur ai dilte në liri për të marrë sadopak ajër. Por që çdo frymëmarrje e tij, ishte e monitoruar në çdo skaj nga kamera me rezolucion të lartë.
Kjo pasi Ardian Çapja nuk ishte një objektiv i lehtë për t’u eleminuar. Objektivi që edhe pse vëzhgohej nga kamera të montuara enkas për të kudo në qytet, si edhe në distancë nga ushtarë të shumtë të rivalit të tij, ishte thuajse e pamundur për t’ju afruar. Të paktën deri mëngjesin e datës 8 Qershor 2020, kur u qëllua nga Kodra e Krastës më shumë se 400 metra largësi, teksa ndodhej në oborrin e banesës së tij. Një zakon, ai i ajrimit, të cilin e kryente shpesh mëngjeseve.
Por që atë ditë, sikur të mos ishte për fatlumësinë e tij, mund të kishte rezultuar fatal për jetën, nëse plumbi i vetëm që e rrëzoi në tokë nuk do ta kishte marrë në shpatull, por në një organ jetësor. Një atentat që u deshën katër vite që të zbardhej. Dhe kjo jo falë hetimeve të thelluara të policisë dhe prokurorisë, por edhe zbërthimit të kodit të një kasaforte të quajtur Sky Ec, ku të gjithë tashmë kanë kryqëzuar gishtat, dhe po shikojnë nga dita në ditë se si organizoheshin atentatet dhe vrasjet në Shqipëri nga bandat kriminale.
Ashtu si edhe zbulimi i prapaskenave të këtij atentati, nga ku doli emri i organizatorit dhe bashkëpunëtorëve në këtë krim. Si edhe qitësit misterioz, snajperistit që qëllonte dhe zhdukej pa lënë gjurmë. Por përse Suel Çela kërkonte të vriste Ardian Çapjan, apo ‘xhaxhain’ siç ndryshe ai e quante? Në fakt idea për eleminimin e armikut të tij, nuk ishte një projekt rishtar për Suel Çelën. Por një mendim i vjetër në kohë dhe në kokë, që gjithmonë e kishte munduar. Aq sa për Suel Çelën, vrasja e rivalit të tij, ishte kthyer në një obsesion.
Por kur mendonte se e kishte humbur toruan me ‘xhaxhain’, një atentat i sofistikuar me snajper i ndodhur më 7 janar të vitit 2020, në qendër të qytetit të Rrëshenit, ku biznesmeni Kastriot Reçi, u qëllua nga një distancë e largët me një plumb të vetëm në zemër, duket se Suel Çela e gjeti zgjidhjen për të hequr qafe kundërshtarin e tij.
Suel Çela që pa te ky atentat i realizuar në mënyrë perfekte me snajper, shansin e artë për të provuar edhe njëherë të eleminojë Ardian Çapjan, pikërisht aty nga ku ky i fundit nuk mendonte asesi se mund të qëllohej dhe jo më të vritej.
Kreu i bandës kriminale që shfaqet kaq i etur për gjak në bisedat me bandën e tij, në aplikacionin Sky Eç, aq sa për të hequr qafe rivalin e përjetshëm është i gatshëm të mos kursejë as format më të përgjakshme të pamendueshme. Apo ‘kamikazçe’, siç ai shprehet me të gjithë urrejtjen e tij. Por kush është snajperisti që Suel Çela dhe të tijët thirrën në detyrë për të vrarë Ardian Çapjan dhe pse ai dështoi ta vriste armikun e tij atë qershor të vitit 2020, duke e lënë vetëm të plagosur rëndë në shpatull. Si u inskenua plani për vrasjen dhe kush mori pjesë në organizimin e atentatit?
Sipas bisedave tashmë të zbardhura në aplikacionin Sky Eç, i gjithë plani final për elemiminin e Ardian Çapjas, i diktuar nga Suel Çela që mban edhe gjeneralitetet, Marjus Lulaj, nisi të thuret në fillim të muajit janar të vitit 2020. Koha kur ai thërret në ndihmë snajperistin Prekë Kodra nga Shkodra.
Ujdi midis të dyve që tashmë fillon të materializohet në muajin shkurt të këtij viti. Prekë Kodra, që gjatë bisedave del se ka mundur të sigurojë edhe një armë snajper në Kosovë. Armë që mendohet se ishte blerë për një shumë prej 50 mijë eurosh. Sasi parash që tregojnë në një farë mënyre edhe cilësinë e armës, ku vrasësi ka shprehur gatishmërinë ta realizojë vetë 90 përqind të punës.
Biseda të cilat duket se ngazëllejnë edhe vetë Suel Çelën. Që në komunikimet e tij me pjesëtarë të ndryshëm të bandës, thotë se qitësi është kaq i saktë, saqë mundet ta kryejë vrasjen për vetëm 2 sekonda të vetme.
Dhe vendi i zgjedhur nga ku do të qëllohej do të ishte një zgafellë e mbuluar me shkurre.
Suel Çela
‘Ka mundësi që këtë muaj ta bëjmë Arin.
E kam bërë gati vetëm ok duhet të jap.
Ti s’më beson mua kur them është ‘marins’.
Dy sekonda më thotë e ke në tokë.
Më tha më jep 75, tja jap se i kam marrë kapar.
S’ja dhashë se më thotë kot.
Kishte blerë snajper në Kosovë.
50 mijë e blemë.
Ka bërë ferrat gati ai.
Se s’po del më kurva në derë, por del anash’.
Po ndërsa në terren plani po ecën mirë, duket se pandemia Covid-19, po i prish shumë punë Suel Çelës dhe të tijve.
Pasi bashkë me pjesën tjetër të popullatës, në karantinë ka hyrë edhe objektivi i tyre.
Dhe kjo duket se po ua vështirëson shumë zbatimin me përpikmëri të skenarit.
Kjo pasi Ardian Çapja del shumë rrallë nga banesa.
Që edhe pa këtë element të paparashikueshëm, është mjaftueshëm e fortifikuar për të depërtuar.
Këtë gjë Suel Çela ia konfirmon edhe një bashkëpunëtori të identifikuar si Metin Mehja.
Ku këtë herë i referohet Ardian Çapjas, si ‘Djalli’.
Suel Çela
‘Ka hy në karantinë djalli.
Rri rehat gjysma e punës është bërë.
Zoti në daç të na mbështesi, në daç jo, ne do e bëjmë’.
Planet për eleminimin e Ardian Çapjas vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe gjatë muajit mars të vitit 2020.
I vetmi shqetësim i shprehur në vazhdimësi nga banda është se objektivi nuk po del nga banesa për shkak sipas tyre të frikës nga një infektim nga Covid-19.
Madje për të qetësuar bashkëpunëtorët e tij dhe për t’i siguruar ata se çdo gjë po shkon sipas planit. Suel Çela i dërgon njërit prej bashkëbiseduesve të tij, edhe një foto të Ardian Çopjas, në oborrin e banesës. Që pavarësisht gjelbërimit të dendur, grupi rival edhe për shkak të aparaturave me rezolucion të lartë, ka mundur ta shquajë për së largu dhe ta fotografojë.
‘O Dedë e kam në tavë, ki pak durim.
Pardje doli mori pak ajër.
Takoi edhe ‘Korçarin’ dhe i dha udhëzimet’
Dyshimet e hetuesve janë se Ardian Çapja është mbajtur në vëzhgim nga grupi i Suel Çelës me anë të kamerave statike të vendosura pranë banesës së tij.
Këtë fakt e konfirmon edhe një foto tjetër që Suel Çela i dërgon një prej pjesëtarëve të grupit, nga ku Ardian Çapja dallohet teksa del vetëm disa minuta për të marrë ajër në pragun e banesës së tij.