Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka dërguar nëpërmjet një mesazhi urimin e saj zyrtar ndaj homologut qipriot, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Qipro, prej 1 Janarit të vitit të ri 2026.
Me një postim në rrjetin social X, shefja e diplomacisë shqiptare nënvizon se:
“I urojmë Presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën”.
Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe të investojë në të nesërmen e saj, si pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët europiane.
Postimi i plotë i Elisa Spiropalit:
“Në këtë ditë të parë të Vitit të Ri që sjell mundësi të reja, përgëzoj Qipron dhe kolegun tim, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian.
I urojmë Presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën, vlerat e saj dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe të investojë në të nesërmen e saj, si pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët europiane”.


