Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar raportin vjetor të veprimtarisë gjatë vitit 2025.
Në raport, SPAK thekson se gjatë vitit të kaluar, janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 ishin të reja, 39 prej të cilave janë bashkuar ndërsa 577 të tjerat ishin të mbartura nga vitit 2024.
“Volumi i hetimeve penale është rritur edhe gjatë vitit 2025 krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit 2025, janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet e reja, të regjistruara gjatë vitit 2025 dhe 39 prej të cilave janë bashkuar, ndërsa 577 janë të mbartura nga viti 2024. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 4.9% të volumit të hetimeve penale (nga 793 në 832). Po ashtu, raporti mes procedimeve penale të reja dhe çështjeve/hetimeve të përfunduara u rrit me rreth 6.67% gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024.
Sa i përket volumit të punës në mbylljen e hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vijuar të tregojë qëndrueshmëri me 216 çështje/hetime të përfunduara në vitin 2025, duke ruajtur të njëjtin nivel me vitin 2024. Edhe pse numri i çështjeve të dërguara në gjykatë ka rënë me 19.5%, numri i personave të përfshirë në këto çështje është rritur me 13.5%, çka tregon se, hetimet janë fokusuar tek çështje më komplekse, që përfshijnë më shumë individë. Kjo dhënë, një reflektim të qasje më strategjike dhe të fokusuar të SPAK në ndjekjen penale gjatë këtij viti raportues.”, thuhet në raportin e SPAK.
Sipas SPAK, rreth 29 përqind e çështjeve dhe hetimeve të përffunduara janë transferuar tek prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, një rënie e ndjeshme krahasuar me meataren e periudhës 2021- 2024.
Sa i përket hetimeve për korrupsionin, SPAK thotë se ka hetuar 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë, nga të cilët 18 janë dërguar për gjykim ndërsa 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë.
“Në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025 edhe pse numri i çështjeve dhe hetimeve të regjistruara është më i ulët, krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje me rreth 3.4% (nga 58 në vitin 2024, në 60 në vitin 2025). Ky tregues konfirmon vijimësinë e një trendi rritës (gati të dyfishuar) që dëshmon përmirësim të qëndrueshëm, krahasuar me të dhënat statistikore të viteve 2022 dhe 2023. Këto të dhëna tregojnë rritjen e angazhimit të Prokurorisë së Posaçme gjatë vitit 2025, për përfundimin e hetimeve në çështjet e lidhura me krimin e organizuar, duke reflektuar një qasje të vendosur ndaj veprave penale, që lidhen me grupet kriminale të strukturuara, si dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Të dhënat krahasuese për periudhën 2024 dhe 2025 tregojnë gjithashtu një rritje me 11.5% të personave nën hetim dhe 36.6% të personave të dërguar në gjykatë, çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale. Nga ana tjetër, rritja e pezullimeve me 93.7% dhe ulja e lehtë e çështjeve të dërguara në gjykatë me 14.3% evidentohet sfidat procedurale dhe nivelin e kompleksitetit të çështjeve. Megjithatë në tërësi treguesit paraqesin një qasje më të thelluar dhe më të fokusuar të ndjekjes penale.
Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7% të çështjeve/hetimeve të reja dhe 12.2% të çështjeve/hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë, si dhe 10 procedimeve me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të nivelit të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 persona nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50% e tyre (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike.”, njofton SPAK.


