EMISIONI VETTING
Në projektin për Portin e Ri tregtar të “Porto Romanos” mungon zgjatimi i linjës hekurudhore me portin e ri tregtar, atë të “Porto Romanos”, i cili do të ketë një rol të rëndësishëm për importin dhe eksportin e mallrave gjithashtu në ekonominë e vendit tonë.
Agron Myftari, banori i qytetit të Durrësit me pesimizëm tregon se ky projekt ka harruar pikën më të rëndësishme, të zgjasë shinat deri në portin e ri tregtarë të “Porto Romanos”.
Premtimi i Belinda Balluku për përfundimin e punimeve mbetën vetëm fjalë boshe. Në një kohë kur qytetarët prisnin të udhëtonin me trena, projekti jo vetëm që nuk përfundoi por pësoi ndryshime të reja bazuar në ligje të reja, që serviren si justifikime për vonesat, duke sugjeruar për mungesë planifikimi nga institucionet shtetërore.
Transporti hekurudhor do t’iu mundësonte qytetarëve gjatë sezonit të plazhit të përshkonin distancën Tiranë-Durrës për 20 minuta, pa u dashur të ngecen disa orë në trafikun e mjeteve në autostradën Tiranë-Durrës e cila çdo verë kthehet në problem.
“Nuk e imagjinoni dot sa mirë ka qenë hekurudha më parë. Udhëtarët iknin me tren të gjithë, nuk ka patur makina private, Durrës-Tiranë nuk kishte vend ku të uleshe aq shumë njerëz ka patur. Tani presim të bëhet sa më mirë të bëhet sa më shpejtë se do të eliminojë trafikun. Mbaron punë për 20 minuta, shkon në Tiranë dhe ktheheshe, mezi po presim. Unë për vete dal çdo ditë shikoj hekurudhën, çfarë po bëjnë, sa po ecin? Por shikoj që është një nënvlerësim I madh, vijnë 2 punëtor, ikin nuk e marr vesh fare këtë historinë e punës”, tha për “Vetting” Agron Myftari.
Përveç kursimit të kohës dhe lekëve transporti hekurudhor do të ndihmonte qytetarët shqiptarë të ulnin rrezikun për aksidentet automobilistike të cilat shtohen gjatë verës, për shkak të numrit të lartë të pushuesve.
Në projektin e Hekurudhës Shqiptare mungon detaji për barrierat akustike, e cila do ti mbronte qytetarët nga zhurma e lartë. Duke u bazuar në projektet e vendeve të Bashkimit Europian, barrierat duhet të jenë mbi 6 metra të larta për të siguruar mbrojtjen nga zhurma në zonat e banuara. Vendosja e barrierave akustike do të kërkonte 10-15 milionë euro shtesë.
Sipas inxhinierit Enea Stavre, barrierat akustike duke bërë një parashikim mund të kapin vlerën deri në 10-15 milionë euro në zonat e banuara për të cilat duhet një studim i mirëfilltë.
Rezulton se Hekurudha Shqiptare, ka riskun e gjendjes së pamjaftueshme të likuiditetit. Në qoftë se shoqëria do të llogariste penalitetin e hekurudhave të huaja si dhe nuk do të çelej subvencion nga buxheti i shtetit, do të çonte në rezultat negativ akoma më të lartë për vitet ushtrimore. Duke zbritur nga pasqyrat financiare, subvencionin si e ardhur, raporti të ardhura/shpenzime do të ndryshojë duke thelluar në mënyre të ndjeshme rezultatin financiar (humbje).
Sipas auditit, gjatë viteve 2019, 2020, 2021, dhe 2022 pasqyrohet një krizë likuiditeti. Hekurudha shqiptare ka detyrime të prapambetura ndaj të tretëve si kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principalë dhe interesa, fatura për blerje në vlerën 3,87 miliardë lekë ose 38 milionë euro.
Shoqëria Hekurudha Shqiptare sha. Durrës është në gjendje falimentimi, ku Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave e kanë përdorur subvencionin si të vetmin instrument për të të shpëtuar Hekurudhat Shqiptare të mos shpallnin falimentimin.
Ardhja e Ergys Verdhos nga Koorporata te Hekurudha ka sjellë me vete edhe hetimet e Prokurorisë së Posaçme pasi prej tetorit 2021, SPAK ka nisur hetimet për Koorporatën Elektro-Energjitike Shqiptare, periudhë e cila ka në lupë edhe ish administratorin e KESH-it.