Kreu i SPAK Arben Kraja kërkoi sot që pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi i organizuar që i kalojnë në pronësi shtetit, të përdoren nga ana e tij për projekte të ndryshme.
Kraja përmendi rastin e një fondi të konfiskuar që është përdorur për të ngritur një laboratori që përdoret për ndjekje penale.
Ai përmendi rastet e goditjes së krimit të organizuar në vitin e shkuar që tha ai, ka prodhuar disa pasuri të konfiskuara dhe sekuestruara që mund të përdoren nga shteti.
“Risia që ne kemi futur është sekuestrimi dhe konfiskimi me proces penal. Gjatë vitit 2021 janë dhënë 5 dënime konfiskimi të cilat përfshijnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Kemi sekuestrime. Janë 14 vendimet gjatë vitit 2021 dhe janë sekuestruar disa pasuri. Po t’i kthehemi procesit penal vetëm gjatë vitit 2021 kemi 6 vendime sekuestrimi që përfshijnë pasuri të paluajtshme, tokë dhe subjekte. Janë 41 dënime konfiskimi që përfshijnë hotele, truall në bregdet. Të gjitha këto pasuri i janë kthyer shtetit. Duhet të përdorim me efektivitet fondet e konfiskuara. Me një nga fondet e konfiskuara kemi ngritur një laborator që e përdorim për ndjekje penale. Pjesë e këtij projekti kanë qenë prokurorë të ndryshëm që kanë dhënë eksperiencën e tyre dhe me vendet e rajonit”, deklaroi kreu i SPAK, Arben Kraja.
Çfarë është Laboratori i Ekspertizës Dixhitale e krijuar nga SPAK, që do të përdorë fondet e pasurive të sekuestruara të grupeve kriminale?
Në nëntor të vitit të kaluar, SPAK njoftoi krijimin e një Laboratori të Ekspertizës Dixhitale, i cili sipas Prokurorisë së Posaçme kundër krimit, është ngritur dhe mbështetur përmes fondeve të marra nga pasuritë e sekuestruara nga prokuroria të grupeve kriminale.
Sipas SPAK, pasuritë e konfiskuara të grupeve kriminale duhet të shfrytëzohen për fuqizimin e punës së prokurorisë së posaçme përmes projekteve të tilla të ngjashme. Qëllimi i këtyre strukturave, sipas SPAK është për rritjen e kapaciteteve teknike dhe rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar.
Njoftimi i SPAK:
“Në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot në datë 23.11.2021 u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit Ndërinstitucional për masat kundër Krimit të Organizuar. Komiteti Ndërinstitucional është i ngritur në zbatim të parashikimeve të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, (i ndryshuar). Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme prezantoi para Komitetit Ndërinstitucional punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme në drejtim të ngritjes së laboratorit të ekspertizës digjitale në ambientet e SPAK. Laboratori është ngritur duke shfrytëzuar fondet e konfiskuara të grupeve kriminale në kuadër të ligjit Nr. 10192, datë 03.12.2009, fonde të cilat Komiteti Ndërinstitucional ia ka vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme, bazuar në një projekt të detajuar të paraqitur nga SPAK. Pjesëmarrësit në takim vlerësuan rëndësinë e përdorimit me efektivitet dhe për qëllimin e duhur të fondeve që u konfiskohen grupeve kriminale. Ata konstatuan se duhet vazhduar në këtë drejtim, pra në vënien në dispozicion të fondeve të konfiskuara organeve të zbatimit të ligjit, me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike të tyre, si dhe rritjen e efektivitetit të ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, thuhej në njoftimin e SPAK asokohe, kur u prezantua kjo strukturë.




