SPAK dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë një operacion të përbashkët për goditjen e korrupsionit në sektorin e ndërtimit, konkretisht në radhët e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).
Mësohet se dy punonjës të IMT-së janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Operacioni është zhvilluar pas një denoncimi të mbërritur më herët në polici, ku raportohej se inspektorët kërkonin dhe merrnin para nga subjekte të ndryshme ndërtimore, në këmbim të mosveprimit ndaj ndërtimeve pa leje ose shkeljeve të tjera urbanistike.
Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, Policia ka vënë në pranga ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë Durrës, Ardian Halili, i akuzuar për ndërtim të paligjshëm në një zonë bregdetare në fshatin Shetaj të Ishmit.
Objekti në fjalë është një resort luksoz, i njohur me emrin “Restorant Saint Michelle Camping Hotel”, i cili përfshin ndërtesa banimi, ambiente me pishina, palma dhe struktura të tjera shërbimi.
Sipas hetimeve paraprake, kompleksi dyshohet se është ndërtuar pa leje në vitin 2017, periudhë kur Halili mbante funksione publike pranë Bashkisë së Durrësit.
Fillimisht, autoritetet raportuan për disa struktura të tipit “shtëpi pushimi” të ndërtuara pa autorizim, por hetimet e mëvonshme ngritën dyshime se i gjithë resorti është ngritur në mënyrë të jashtëligjshme.