Janë bërë publikë emrat e disa prej të arrestuarve në kuadër të operacionit të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet finlandeze.
Gjithsej u dhanë 11 masa arresti, teksa janë bërë publikë emrat e 6 prej të arrestuarve:
Dorjan Luzaj
Geraldo Seferaj
Elton Myftari
Elton Tavani
Erind Teneqexhiu alias Agalliu
Kela Qevani
SPAK dhe autoritetet finlandeze kanë hetuar disa grupe kriminale, të përbëra kryesisht nga shqiptarë, të cilët dyshohet se kanë trafikuar sasi të mëdha drogash (si kokainë, kanabis, amfetaminë, ekstazi) nga Holanda dhe Spanja drejt Finlandës, për t’i shitur në qytete të ndryshme atje. Droga transportohej dhe shpërndahej përmes një rrjeti të mirëorganizuar shpërndarësish.
Hetimi ka nisur pas kërkesës që ka ardhur nga policia finlandeze më 21 qershor 2023. Më 21 nëntor 2023, u krijua një “Skuadër e Përbashkët Hetimore” mes SPAK dhe policisë finlandeze. Për 18 muaj janë përdorur metoda speciale si përgjime telefonike dhe filmime të fshehta për të mbledhur prova.
U identifikuan 4 grupe të mëdha kriminale që kanë trafikuar mbi:
400 kg amfetaminë
500 kg kanabis
Sasi të mëdha kokaine dhe ekstazi
Anëtarët e grupeve punonin shpesh bashkë ose për njëri-tjetrin për të përfituar më shumë.
SPAK kërkoi arrestimin e 11 shqiptarëve, dhe Gjykata e Posaçme miratoi masën “arrest me burg”. Më 3 qershor 2025, 9 prej tyre u arrestuan në Shqipëri. Gjatë operacionit, u sekuestruan 8 makina, 13 telefona celularë dhe dokumente të ndryshme.
Në këtë hetim kanë ndihmuar edhe policë nga Finlanda dhe zyra speciale për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe vendeve nordike. Hetimi është ndihmuar dhe financuar nga Komisioni Europian përmes një projekti të drejtuar nga Drejtoria Italiane Antimafia.