SPAK dhe autoritetet gjermane kanë goditur një grup kriminal të përfshirë në mashtrime masive ndaj qytetarëve gjermanë përmes një call center të paligjshëm në Tiranë. Operacioni i përbashkët “Pandora” u detajua sot në një konferencë për mediat.
Prokurori i SPAK, Eneid Nakuçi, bëri të ditur se grupi vepronte duke u prezantuar si oficerë policie të rremë, që i bindnin qytetarët se do i ndihmonin për të rikuperuar humbjet e tyre nga investimet në kriptovaluta, Forex dhe kompani online.
Në fakt, bëhej fjalë për një mashtrim të dytë, më të sofistikuar, që zgjaste më shumë dhe kishte si synim nxjerrjen e sa më shumë parave.
Kontrollet në ambientet e call center-it, më 18 prill 2024, çuan në sekuestrimin e provave digjitale dhe dokumentare, të cilat u analizuan nga autoritetet gjermane dhe zbuluan një skemë të mirëorganizuar kriminale, që kishte mashtruar qindra qytetarë gjermanë
Eneid Nakuçi: U ekzekutuan masat e sigurimit për autorët e dyshuar të krimit të mashtrimit kompjuterik nëpërmjet qendrave call center në Shqipëri.
Grupi i personave të dyshuar vepronin duke u hequr si oficerë policie të rremë të cilët përpiqeshin që të rikuperonin fondet e personave të cilët kishin humbur në investimet e tyre në fushën e kriptomonedhave dhe investimeve të ndryshme në Forex në kompanitë, duke u përfshirë edhe në mashtrimet bankare , mashtrime në investime dhe mashtrime për t’i ndihmuar këta persona për të rikuperuar këto humbje.
Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar më datë 18 prill të viti që kaloi nga ana e SPAK është ushtruar kontroll në ambientet e një call center të paligjshëm në Shqipëri ku u gjetën dhe janë sekuestruar prova materiale të dyshuara.
Rezultatet dhe provat digjitale të provave u dërguan për analizë të thelluar në Gjermani dhe çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë dhe jo vetëm.
Pas gërshetimit të provave ne i kemi kërkuar gjykatës 5 masa arrest në burg, 3 arrest në shtëpi. Ka pasur qindra tentativa për të mashtruar qyetarët gjerman, në momentin qe kontaktoheshin nga call centerat, autoritetet gjermane merrnin qytetaret e tyre dhe ju kerkonin që të mos kryenin më investime dhe të mos binin pre e mashtrimit duke shpëtuar qytetarët.