Reagimi i plotë:
Sapo u njoha me njoftimin që Prokuroria e Posaçme ka shpërndarë për mediat sa i takon çështjes Xibraka. Të jem i sinqertë, nuk u besova dot syve me atë që lexova. Hetimet kanë përfunduar, por nuk kanë përfunduar. Ky ishte thelbi atij njoftimi, në fakt qesharak, të cilin e kam paralajmëruar që ditën e parë kur kam denoncuar me fakte dhe të dhëna konkrete, dyshimin e arsyeshëm për përfshirjen e mundshme të vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, në çështjen e laboratorit Xibraka. Prokuroria njoftonte se kishte përfunduar hetimet për dosjen 88 të vitit 2024, në fjalinë e parë. por, në fjalinë e pestë, të një njoftimi me 5 fjali, thoshte se kanë pezulluar hetimet dhe kanë ridërguar apo dërguar, që Policia e Shtetit, pra dosjen e plotë, që Policia e Shtetit të bëjë përpjekje për të identifikuar, atë që fshehu para 10 vitesh. E vërteta në fakt është krejt ndryshe. Prokuroria as ka hetuar, as ka kryer asnjë veprim hetimor për të zbuluar të vërtetën. Prokuroria, që vë dorën në zjarr, që Olsi Rama, nuk është i përfshirë në aktivitet kriminal, deklaron vety se e ka të pamundur për të identifikuar se kush janë personat e përfshirë, por deri tashmë të paidentifikuar. Njoftimi se njëri nuk është, por ne nuk e dimë se kush janë, në fakt është fiks logjika që përdori përpara 10 vitesh Policia e Shtetit, duke na thënë se kishte arritur të identifikonte moshën e personit, konkrete, 45 vjeç, por nuk i gjente dot emrin. I kuptoj prokurorët e SPAK-ut, sepse ndihen të kërcënuar, të intimiduar, të pafuqishëm përballë pushtetit të Edi Ramës, por ata nuk kanë asnjë arsye për t’u bërë qesharak, dhe për të na rikthyer të gjithëve në memorie, se të bërit qesharak, në fakt e kanë metodë të punës së tyre. Shqiptarët e mbajnë mend, që i njëjti prokuror, Alfred Shehu, para 4 vitesh, doli me zë dhe figurë , dhe i tha shqiptarëve, se për ngjarjen në zgjedhjet në Elbasan, në makinën e autorëve të asaj veprimtarie kriminale, nuk u gjetën materiale zgjedhore. Nxitimi i tij për të amnistuar bandën në pushtet, hasi në kundërshtimin e vetvetes, vetëm 3 ditë më vonë, ku në gjykatë, me shkrim dhe me zë, deklaroi që po, në makinën e personave të përfshirë në atë ngjarje kriminale, u gjetën materiale zgjedhore. E në këto kushte, duke përsëritur pas 4 vitesh veten, unë nuk kam asnjë mesazh më shumë, përveçse për të ndjerë keqardhje që për shkak të presionit, për shkak të ndërhyrjes, për shkak të intimidimit, prokurorët, jo vetëm nuk tregohen profesionalë, por detyrohen të kthehen qesharakë. Personalisht e kam pasur të qartë pamundësinë e tyre, për ta bërë të ndëshkueshme dikë që ka statusin “i pandëshkueshëm”, për shkak të pushtetit të të vëllait. Mirëpo, prokuroria kishte shansin të na tregonte se është e pavarur, e paanshme, profesionale, dhe se kryen hetim të plotë e të gjithanshëm.
Unë sot do ndalem vetëm në një fakt, në seancën plenare të datës 4 prill të vitit 2024, ministri i brendshëm i kohës, Taulant Balla, zyrtarisht në seancë plenare, deklaronte, informonte Kuvendin e Shqipërisë, se ai kishte dijeni, se kush ishte identiteti, të moshës 45 vjeç. Me zë dhe me figurë.
Pyetja ime për prokurorin Shehu është: A e ka thirrur Taulant Ballën, për ta pyetur, për informacionin si ministër i brendshëm, i përcolli, Kuvendit të Shqipërisë, që e njihte personin e moshës 45 vjeç, dhe se nuk kishte asnjë lidhje me PS apo Edi Ramën, por kishte lidhje me PD?
Mjafton vetëm ky fakt, vetëm ky, për të treguar që nuk ka patur asnjë hetim. Nuk ka patur asnjë veprim hetimor konkret për të zbardhur të vërtetën. Ka pasur vetëm një tentativë, për të bërë shqiptarët për budallenj, sikur po hetohet, dhe për të dalë sot me atë njoftim qesharak.
Gjithsesi, duke ripërsëritur qëndrimin tim, se i kuptoj që janë të pafuqishëm, kam vetëm një lutje, na kurseni të bërit qesharak. Prokuroria Speciale nuk ka nevojë të degradojë deri në qëndrime apo njoftime të tilla, që në 5 rreshta të shkruara, fjalinë e parë të kundërshtojë fjalinë e pestë. Apo, ajo që thuhet në fjalinë e parë, të jetë e ndryshme me atë që thuhet në fjalinë e pestë. Apo, qëndrime të tipit ne nuk e dimë kush është, por betohemi përpara Edi Ramës se Olsi Rama, nuk është.
Kaq për sonte, sepse sigurisht as nuk dekurajohemi, kësaj çështje do i shkojmë deri në fund, e vërteta, siç doli në rastin kur prokurori Shehu gënjeu për ngjarjen e Elbasanit, do triumfojë, edhe pse do të marrë pak kohë.
Ju përshëndes.