SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen nr. 108/2024, në ngarkim të Gëzim Bakallit dhe Erjon Locit, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Gëzim Bakalli (i njohur edhe si Shkëmbim Cërmanji) akuzohet për drejtimin e një grupi kriminal që ka trafikuar në 15 episode lëndë narkotike, përfshirë heroinë, kokainë, marijuanë dhe ekstazi. Ai akuzohet gjithashtu për falsifikim dokumentesh dhe pasaportash kosovare.
Ndërsa Erjon Loci është vënë nën akuzë për pjesëmarrje në të njëjtin grup, duke ndihmuar në transportin dhe shitjen e drogës në territorin zviceran, në të paktën 6 episode.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me drejtësinë zvicerane dhe përfshiu përdorimin e metodave speciale të hetimit dhe ndjekjen e komunikimeve të enkriptuara përmes aplikacioneve “Sky ECC”, “Threema” dhe “Signal”.
Si rezultat i hetimeve të përbashkëta, në Zvicër dhe Shqipëri janë sekuestruar:
– 345.4 kg kokainë, me pastërti deri në 86.9%
– 22.25 kg heroinë
– 2 kg marijuanë
– 10.000 tableta ekstazi
– 1.000 kg kokainë, mbetur në tentativë për trafikim
– Armë zjarri, municion, orë luksoze, pajisje elektronike, dokumente e kontrata pasurish
Në kuadër të çështjes janë identifikuar gjithsej 12 persona të përfshirë (shqiptarë, zviceranë, turq dhe italianë), ndërsa në Zvicër janë proceduar penalisht 10 shtetas.
SPAK njofton se hetimet po vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë përmes dosjes së ndarë nr. 108/1 të vitit 2025.
Të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.