Qytetarë dhe aktivistë do të mblidhen sërish sot në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej për të protestuar kundër projektit të parashikuar në zonën e Zvërnecit, një çështje që ka nxitur debate të forta dhe reagime publike gjatë ditëve të fundit.
Nën moton “Shqipëria nuk është në shitje”, pjesëmarrësit pritet të zhvillojnë një marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke shprehur kundërshtinë ndaj projektit që, sipas tyre, cenon zonat e mbrojtura natyrore dhe interesin publik.
Organizatorët thonë se protesta vjen pas zhvillimeve të fundit në Zvërnec, ku janë shënuar tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe autoriteteve.
Në të njëjtën orë, në qendër të Tiranës do të zhvillohet edhe një tubim i organizuar nga Aleanca për Familjen kundër përdorimit të terapive hormonale për ndryshimin e gjinisë në sistemin shëndetësor.
Kësaj proteste i është bashkuar edhe Partia Demokratike, e cila ka vendosur të anulojë foltoren e saj të përjavshme para Kryeministrisë.
Në një njoftim për mediat, PD bëri të ditur se do të marrë pjesë në mbështetje të tubimit të Aleancës për Familjen, i cili do të zhvillohet në orën 18:00 në Sheshin Skënderbej.
Kështu, pasditja e sotme pritet të shoqërohet me dy tubime të veçanta në kryeqytet, të fokusuara në çështje të ndryshme që kanë ngjallur debat në opinionin publik.


