Ky 5 prill, shënon Natën e Kadrit. Besimtarët, që e cilësojnë më të vlefshme se 1 mijë muaj, janë duke e pritur me agjërim, falje e vepra të mira.
Nata e Kadrit njihet si nata kur Kurani zbriti në tokë.
Nata e Kadrit është një natë shumë e veçantë për besimtarët myslimanë. Lutjet dhe falja në këtë ditë përcaktojnë fatin dhe mirësitë e vitit të ardhshëm. Është bërë traditë tashmë që në këtë ditë nuk agjërojnë vetëm praktikuesit e fesë islame, por edhe njerëz të tjerë në të gjitha vendet e botës.
Ajetet e para që zbritën në këtë natë ishin ato që i dhanë vlerë shkollimit dhe diturisë, duke e përcaktuar islamin si fe që e kërkon dhe e obligon diturinë.
Pse emërtohet nata e Kadrit?
Kjo natë, në vetvete, ka disa kuptime dhe jo vetëm mirësitë që sjell e mbart ajo. Një ndër kuptimet themelore është që njihet si natë e madhërishme, nisur edhe përcaktimet e mëdha.
Është edhe një natë e begatë dhe me shumë mirësi. Përfitimet e saj janë të shumëfishta. Në këtë natë vendoset rrisku, begatia dhe mirësitë mbi tokë. Nisur nga sonte e deri në të njëjtën natë të vitit të ardhshëm, emërtohen çështjet e njeriut mbi tokë. Është një natë që ka më pak vuajtje në të gjithë botën. Është një natë me pozitë të veçantë për mrekullitë dhe mirësitë që përmban.
Paracaktimi është një ndër kuptimet e kësaj nate. Kjo do të thotë që sonte vendoset se ç’do të ndodhë deri në vitin e ardhshëm.
Një tjetër kuptim i Natës së Kadrit është shtrëngimi, pasi bota shtrëngohet nga numri i madh i melekëve që thuhet se zbresin në tokë.