Do të nisë këtë mëngjes në “Continassa” aventura e tretë e Igor Tudor te Juventusi, pas së parës si futbollist dhe së dytës si bashkëpunëtor teknik në stafin e Andrea Pirlos, në sezonin 2020-2021. Duke filluar nga seanca e tij e parë stërvitore si trajner i bardhezinjve, ajo e sotmja, ish-mbrojtësi kroat do të ketë pesë ditë të plota për të përgatitur ndeshjen e tij të parë, e planifikuar të shtunën, në orën 18:00, kundër Genoa.
Një javë e plotë është një periudhë e çmuar për trajnerin e ri të “Zonjës së Vjetër” për të menduar se cilin formacion do të hedhë në fushë në debutimin e tij në “Allianz Stadium”. Çështja e parë është me sa lojtarë në mbrojtje.
Ai preferon linjën me tre dhe përgjigjet nga seancat stërvitore në “Juventus Training Center” do ta ndihmojnë të kuptojë nëse mund ta aplikojë që nga fillimi. Pavarësisht kufizimeve në ndërtimin e lojës, Federico Gatti është kandidati kryesor për ta udhëhequr prapavijën nga qendra, me Pierre Kalulu në të djathtë dhe Renato Veiga në të majtë.
Zakonisht Tudor rreshtohet me një 3-4-2-1, por shpesh e ka ndryshuar në 3-4-1-2 në varësi të lojtarëve në dispozicion. Nuk ndryshon shumë. Dusan Vlahovic, që shënoi mbrëmë me Serbinë, do ta shohë më shpesh fushën. Madje do ta bëjë këtë edhe në bashkëpunim me Randal Kolo Muani, ose pranë tij, ose disa metra më prapa.
Një rol qendror do të ketë edhe Kenan Yildiz, i gatshëm më në fund të shfrytëzojë më shumë hapësira në treçerekun e fundit të fushës, për ta çliruar talentin e tij. Turku mund të hyjë drejt portës ose të dalë në krah për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës.
Kujdes, megjithatë, për Teun Koopmeiners, i cili mund të jetë një xhol në Juventusin e 9 javëve të fundit të Serie A dhe të Kupës së Botës për Klube. Holandezi mund të luajë si mesfushor, por edhe si trekuartist, duke u pozicionuar më pranë portës kundërshtare dhe sulmuesve kryesorë.
Trajneri i ri do të kërkojë sakrificë nga të gjithë dhe ndryshim të vendosur në qëndrimin shpesh të ngadaltë dhe të pafuqishëm të këtij sezoni, por veçanërisht do ta kërkojë këtë nga lojtarët e krahëve. Pothuajse të gjithë ata në ekip, nga Nico Gonzalez te Francisco Conceição dhe Samuel Mbangula, duken të përshtatshëm për të qenë anësorë në një trident ofensiv.
Do të duhet një frymë e madhe përshtatjeje për të mbuluar të gjithë krahun, detyrë që për karakteristikat duket më e përshtatshme për Timothy Weah dhe Andrea Cambiaso, me kusht që ky i fundit të jetë në formë më të mirë se javën e kaluar.