EMISIONI VETTING
Më 27 dhjetor 2017, kompania shtetërore “AlbControl” do të lidhte kontratën për “Rehabilitimi i Kullës së Kontigjencës” me kompaninë fituese “ALKO-IMPEX General Construction” shpk me vlerë 371 mijë euro. Lidhja e marrëveshjes vazhdoi më tej duke akorduar edhe një shtesë kontrate në 2018 me vlerë 4.7 milionë lekë.
Nga dokumentet zyrtare rezulton se ky tender është firmosur vetë personalisht në kundërshtim me ligjin asokohe nga zv.kryeministrja Balluku, me numër protokolli 2317/4, në 27 dhjetor 2017. Në kontratë parashikohet se “ALKO-IMPEX General Construction” e administruar nga Arbër Abazi dhe në pronësi të Imer Ademit do të merrte pagesën paraprake për 70 % të vlerës totale të kontratës.
Në informacionet e siguruara nga “Vetting” rezulton se në ditën që është firmosur kontrata, AlbControl-i ka bërë një urdhër transferte me faturë tatimore nr. 117 me seri 51770495 duke realizuar paradhënie në shumën 31,3 milionë lekë për kompaninë “ALKO-IMPEX General Construction”, gjë e cila është në shkelje të ligjit të Prokurimeve Publike sipas Dokumenteve Standarde të këtij tenderi.
Ka qenë Kontrolli i Lartë i Shtetit që do të zbulonte shkelje të tjera te kjo kontratë pasi ka patur probleme me zbatimin, të cilat konfirmojnë indiciet për favorizim nga ministrja Belinda Balluku. Konkretisht në kontratën e firmosur midis palëve ka patur punime me vlerë 2.3 milionë lekë ose 23 mijë euro, të cilat bien në kundërshtim me kushtet e kontratës. Pra, të tjera gjëra deklarohen në marrëveshje dhe të tjera gjëra janë realizuar nga kompania.
Këto shifra janë të ulëta në krahasim me ato që do të siguronte kompania e klonuar, e cila është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i ish deputetit socialist Sadri Abazi.
Sipas burimeve mediatike, Arbër Abazi aksioneri i “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” dhe administratori i kompanisë “ALK0-IMPEX General Construction” rezulton të ketë lidhje të afërta me ministren e Infrastrukturës, njëkohësisht zv/kryeministren Belinda Balluku, të cilat hedhin dyshime për konflikte interesi.
Kompanitë e Abazit kanë marrë dhjetra miliona euro tendera nga buxheti i shtetit, duke shkelur Ligjin e Prokurimeve Publike dhe Ligjin “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Sipas avokatit Arben Llangozi, rastet e denoncuara në media duhet të verifikohen nga Prokuroria e Posaçme për të hedhur dritë mbi këto ngjarje.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit realizon auditim të gjithanshëm dhe rastet e evidentuara nga ky institucion duhet të jenë objekt i hetimeve nga SPAK-u”, tha për “Vetting” avokati Llangozi.
Në listën e institucioneve që kanë furnizuar me para publike këto kompani, kryeson Autoriteti Rrugor Shqiptar, i ndjekur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucione të cilat kanë varësi nga ministrja dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, ku drejtuesi i ARRSH-së propozohet nga vet Balluku.
Lidhjet e dyshimta financiare të Arbër Abazit me favorizime nga zv.kryeministrja e kanë zanafillën që nga koha e AlbControlit, periudhë në të cilën u rrit ndikimi i Ballukut brenda Partisë Socialiste.
Sipas kryetarit të lëvizjes Politike “Nisma Thurje” Endrit Shabani, sot që flasim disa nga kompanitë që operojnë në fushën e prokurimeve publike kanë monopolizuar të gjithë kapitalin shtetëror me favorizime nga segmente të caktuara të klasës politike.
ALKO IMPEX DHE BALLUKU
Historia e kompanisë Alko e ka fillesën në nëntor të vitit 2012, kur pronari i “KLEDOR ALBANIA-09”, Tabir Hysa, sot e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” do të pezullonte aktivitetin e kompanisë, e cila kishte vetëm 3 vite që operonte në tregun shqiptar. Disa muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, në dhjetor 2013, Arbër Abazi do ta blinte këtë kompani me vlerë 100 mijë lekë.
Duhet theksuar se “marifeti” i biznesmenit të ri do të qëndronte në ndryshimin e emrit të kompanisë, duke e quajtur “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”. Pra, kompania e re me emër do të ishte një klon i kompanisë “ALKO-IMPEX General Construction”, duke krijuar një rrëmujë informative, si në institucionet publike, por edhe në hapësirën mediatike.
Ka qenë kjo ngjashmëri me emrat, e cila ka tërhequr vëmendjen për të kontrolluar tenderat që janë fituar nga këto kompani, për të verifikuar nëse kemi shkelje ligjore.
Në janar 2018, Bashkia Devoll do të finalizonte tenderin pa garë për pastrimin e zonave të bashkisë me ofertë fituese 98 milionë lekë ose rreth 1 milion euro. Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, ky tender është fituar nga “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” shpk me numër nipti “K91628013D”.
Pra, kompania që nuk ka qenë aktive ka fituar tenderin për pastrimin.
Por a kemi të bëjmë me një gabim njerëzor apo të qëllimshëm?
Dy indicie, përbëjnë një provë thonë italianët. Bashkia Devoll nuk është e vetmja, që ka shpallur fituese një kompani, e cila ka qenë e pezulluar, por kësaj liste i bashkohet edhe Ministria e Mirëqënies dhe Sipërmarrjes së Lirë.
Në maj 2017, kjo Ministri do të shpallte fitues për tenderin “Rikonstruksion i shkollës “Ali Myftiu Elbasan” me ofertë 81 milionë lekë “ALKO IMPEX” shpk, pa specifikuar numrin e niptit.
Gara u shënua me flamur të kuq sepse dy kompanitë e tjera, që kishin bërë ofertë më të ulët u skualifikuan nga institucioni, duke shfaqur indicie për favorizim fituesi. Dy muaj më pas në buletinin zyrtar, kompania që kishte lidhur kontratën do të shfaqej përsëri “ALKO IMPEX” shpk, me numrin e niptit të “ALKO IMPEX CONSTRUCTION”.
Në të paktën, dy raste kompania e cila ka qenë me status të pezulluar, ka fituar dy tendera nga dy institucione të ndryshme. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, kompania do të rifillonte aktivitetin në 14 korrik 2018.
Sipas avokatit Llangozi, nëse këto raste janë të vërteta, edhe titullarët e institucioneve duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht.
“Sipas Ligjit të Prokurimeve Publike, ekstraktet e kompanive duhet të verifikohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe është e habitshme se si mund të shpallen fituese kompani që nuk janë funksionale”, u shpreh avokati Llangozi.