Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me arrestimin e dy shtetasve kinezë pak ditë më parë në Tiranë, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe vjedhjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë.
Mësohet se Krimi Kibernetik ka parandaluar vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shqiptarëve.
Sipas burimeve, përllogaritja e shumës që rrezikonte të vidhej përmes skemës mashtruese të kinezëve në falsifikimin e faqeve të Postës Shqiptare, shkojnë rreth 5 miliardë lekë, apo 50 milionë euro, nga llogaritë bankare të shqiptarëve.
Dy kinezët e arrestuar, Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, erdhën në Tiranë një javë më parë për të vijuar aktivitetin kriminal. Ata u akomoduan në një hotel shumë afër qendrës së kryeqytetit, vend ku u gjetën me dhjetëra sende materiale me rëndësi për hetimin.
Dy kinezët kishin ardhur në vendin tonë për të ngritur infrastrukturën dhe pas kësaj llogaritë bankare të tërhiqeshin nga jashtë vendit.
Krimi Kibernetik ka rënë në gjurmët e grupit të kinezëve nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të “darkweb” dhe burimeve të hapura në internet, të cilat pasi janë verifikuar kanë çuar në identifikimin e tyre.
Dyshohet se në këtë skemë janë persona të tjerë të përfshirë, për të cilët kanë nisur hetimet e mëtejshme.


