EMISIONI VETTING/ Skandali me tenderin menuja e 100 fshatrave
Në nëntor 2021, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mbyllte garën për tenderin: “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar “Menunë e 100 Fshatrave“ me fond limit 41 milionë lekë. Në fillim të vitit 2022, fitues do të shpallej bashkimi i kompanive “Mascarpone sh.p.k & Endrit Maci” me vlerë 41 milionë lekë ose 410 mijë euro.
Menjëherë pas shpalljes së fituesit, në media do të shpërthente skandali pasi aksioneri i kompanisë “Mascarpone“ ishte njeri i lidhur me djalin e drejtorit Dritan Agolli. Alfio Rrotani, administrator dhe ortak kryesor i kompanisë që është shpallur fituese e tenderit, ka punuar si shef kuzhine për restorantin “Bedouin Beach & Bar”, objekt që gjendet në zonën e Hamallajt, në Gjirin e Lalzit, në pronësi të Flladi Agollit, djalit të drejtorit të FSHZH-së. Lajmi se kuzhinieri i djalit të Dritan Agollit kishte fituar tenderin do të sillte edhe fillimin e hetimeve nga Prokuroria e Posaçme ndaj kreut të FSHZH-së për akuzat shpërdorim detyre, abuzim me fondet publike dhe korrupsion.
Menjëherë pasi skandali shpërtheu në media, Drejtori i Fondit Agolli do të reagonte publikisht me anë të një deklarate të publikuar në media.
“Lidhur me çështjen e konfliktit të interesit tashmë që kam ardhur në dijeni nga mediat që kanë filluar hetimet për këtë çështje nga organet kompetente sqaroj se në këtë pikë tashmë janë keto organe që do të shqyrtojnë dhe vlerësojnë këtë çështje dhe nuk ka më vend për sqarime mediatike. Në përfundim i shoh në sy me kurajo të gjithë ata që shpifën dhe që i përcollën ato dhe ju them se shpifjet e tyre vetëm më shtojnë bindjen dhe më japin forcë për të ecur përpara në rrugën për zhvillimin e vendit tonë”, do të shkruante Agolli në deklaratën për mediat.
Nëse analizojmë me vëmendje deklaratën e drejtuesit të FSHZH-së, do të kuptojmë se Dritan Agolli nuk ka bërë asnjë sqarim, nëse ai është ose jo në konflikt interesi me detyrën.
Por, përtej faktit që kemi ose nuk kemi konflikt interesi, ajo që ka ngritur dyshimet për favorizim nga Dritan Agolli lidhet me skualifikimin e kompanisë konkurruese dhe plotësimin e kritereve.
Nga gara për tenderin është skualifikuar bashkimi i kompanive “Kube Studios Shpk & Albanian Gastronomy Academy AGA & CBS Creative Business Solutions” me ofertë më të ulët se fituesi, e cila është më fitimprurëse për financat publike.
Fillimisht ky bashkim operatorësh do të bënte ankesë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për skualifikimin, por duke parë sorollatjet nga institucioni, në fillim të shkurtit 2022 do të bënte ankesë njëkohësisht te FSHZH-ja, por edhe te Komisioni i Prokurimit Publik. Sipas ankuesve, vlerësimi nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ishte objektiv dhe në përputhje me ligjin.
Konkurrenca pretendon se FSHZH-ja nuk ka bërë vlerësimin si duhet dhe nga hulumtimi i dokumenteve, Komisioni i Prokurimit Publik është shprehur se kriteret e vlerësimit janë hartuar në shkelje të ligjit për Prokurimin Publik. Komisioni do të shtonte më tej se edhe fakti që nuk është përcaktuar saktësisht mënyra se si do të bëhet vlerësimi i ofertave e bën të pamundur realizimin e një procedure prokurime efektive.
Në fund të shkurtit 2022, Komisioni i Prokurimit Publik do t’i jepte të drejtë kompanisë së skualifikuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, duke e urdhëruar këtë të fundit të anulojë tenderin.
Hetimi i SPAK
Shpërthimi i skandalit në media do të sillte vëmendjen te profili i Dritan Agollit dhe personave të lidhur me të. Agolli ka punuar më parë si drejtor urbanistike në Bashkinë e Tiranës dhe më pas është shkëputur nga administrata publike duke u angazhuar në fushën e biznesit.
Duhet theksuar se gjatë kohës që ka qenë në Bashkinë e Tiranës, Dritan Agolli vazhdimisht ka qenë nën akuzë nga Partia Demokratike, e cila gjatë kohës që ka qeverisur e ka kallëzuar në Prokurori. Por për Agollin nuk ka patur asnjë akuzë nga Prokuroria dhe gjithmonë ka dalë i pastër, deri në momentin që SPAK do ta vendoste nën lupë për hetimin e pasurisë dhe skandalin e “menusë për 100 fshatrat”.