Mbahet në GJKKO seanca për konfirmimin e sigurisë për personat e pandehur lidhur me skandalin e tenderave në AKSHI. Mësohet se gjykata iu ka dhënë 3 kohë avokatëve të tyre që të njihen me aktet e dosjes.
Të dyshuarit akuzohen se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe manipulonin tenderat nëpërmet pengmarrjes dhe shantazhit.
Drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, e lënë në arrest shtëpie, mbërriti më herët në gjykatë me makinë policie. U paraqit gjithashtu edhe zv drejtoresha Hava Delibashi, si edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, i cili është pezulluar nga detyra.
Nën akuzë për këtë dosje janë 8 persona. Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme caktoi masa sigurimi për tetë persona, përfshi drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj dhe zv. drejtoreshën Hava Delibashi të cilat u vendosën në “arrest shtëpie”.
Prokuroria e Posaçme akuzon gjithashtu Ergys Agasin – një personazh kontrovers i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar dhe biznesmenin Ermal Beqiraj për veprat penale të konkurrencës së paligjshme përmes dhunës, heqjes së paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i struktuaruar kriminal dhe pastrim i produkteve të veprës penale.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan operacionit të policisë dhe masat e tyre të arrestit me burg mbeten të paekzekutuara. I përfshirë në skemë dyshohet edhe Erion Ismaili, zv.drejtor për hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, ndaj të cilit gjykata ka vendosur “pezullim nga detyra” dhe “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Po ashtu të akuzuar janë dhe Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, tre biznesmenë ndaj të cilëve është vendosur masë sigurimi “ndalim për të dalë jashtë vendit”.
Të tre akuzohen se morën pjesë në skemën e manipulimit duek lëshuar fatura fiktive apo marrë pjesë fiktivisht në garat e zhvilluara.


