Një skandal ka prekur konsumatorët shqiptarë, pasi vetëm disa ditë më parë janë bllokuar në Portin e Durrësit 18.3 tonë fileto pulë e ngrirë, e importuar nga Brazili, pasi ka rezultuar se ishte e kontaminuar me salmonelë.
Ky mishi i përket kompanisë “AMG Food”, e cila është krijuar në dhjetor të vitit 2019 dhe është nën administrimin e Mondi Goxha. Filetoja e pulës e kontaminuar me salmonelë, një bakter ky shumë i rrezikshëm për shëndetin e njeriut, ndodhet në treg me emrin “diMal”.
Sipas njoftimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucioni ka ndërhyrë për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, por gjithashtu dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj “AMG Food”. Në këtë njoftim, AKU-ja deklaron se përgjigja e analizave për filetot e pulës kanë dalë që më 11 mars, por sot ka dalë me njoftimin zyrtar.
Raportohet se pavarësisht se AKU-ja ka dhënë urdhër për bllokimin e ngarkesës së mishit, kompania ka vijuar me hedhjen e produktit në treg.
Kompania do të hetohet për mosrespektimin e kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënien e informacionit të pasaktë.
Prokuroria sakaq po vijon me hetimet ndaj çështjes.
Njoftimi i AKU
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i
Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.