Skandal i kompanisë së fluturimit ajror “Air Albania”. Avioni i linjës Milano-Tiranë ka braktisur pasagjerët, pasi i ka lënë për orë me radhë të presin, në nisje të fluturimit.
BalkanWeb mëson se fluturimi ishte parashikuar për në orën 16.50, por është shtyrë për në orën 20.30. Edhe pse pasagjerët janë embarkuar në bordin e avionit, ata janë lënë të presin për 2 orë, ndërsa askush nga kompania nuk i ka sqaruar.
Pasi kanë qëndruar 2 orë të bllokuar në avion, ata kanë zbritur por askush nuk iu ka thënë se kur do të bëhet fluturimi me destinacion Tiranën.
Pasagjerët kanë kontaktuar me redaksinë e BalkanWeb ku kanë shprehur shqetësimin se si Air Albania i kishte braktisur në aeroportin e Milanos. Ata denoncojnë kompaninë për arrogancë teksa nuk ka dhënë shpjegime për anulimin e fluturimit dhe as për rrethanat.
Rrëfimi i pasagjerit:
Një nga pasagjerët, Sefedin Matraçi i cili mbrëmjen e sotme do të udhëtonte me Air Albania në drejtim të Tiranës, nga aeroporti i Milanos, ka rrëfyer për Balkanëeb se si kompania ajrore shqiptare i braktisi ata në aeroportin Malpensa.
“Avioni duhej të nisej në orën 16.50. Kur kemi mbërritur në aeroport nuk ishte hapur check-ini dhe askush nuk na përgjigjej. Pasi kemi qëndruar për orë të tëra në pritje, na thonë se do nisemi në orën 20.30. Por do niseshim jo me avionin e Air Albania, por me Turkish Airlines. Pasi kemi kalur në check-in, jemi futur në avion dhe na kanë lënë në pritje për më shumë se 2 orë. Piloti dhe stafi i avionit na thonin se nuk kishin leje nga kulla e kontrollit për t’u nisur. Kemi telefonuar sërish kompaninë dhe tha thanë që avioni nga Tirana nuk ka mbërritur pasi kishte turbulenca.
Por na gënjyen sepse punonjësit e aeroportit na njoftuan se kompania Air Albania nuk kishte paguar taksat aeroportuale. Dhe deri në datën 18 tetor nuk do të ketë fluturime në aeroportet e Italisë.
Kam 21 vjet që udhëtoj dhe s’më ka ndodhur asnjëherë. Këtu ka fëmijë, ka të moshuar. Jemi 50-60 pasagjerë.