Regjisori Spartak Pecani, ka kujtuar me shumë respekt dhe emocion karrierën dhe personalitetin e aktores shqiptare, Margarita Xhepa, e cila ka ndërruar jetë ditën e sotme.
I ftuar në studion e News 24, Pecani theksoi se Margarita Xhepa ishte një figurë unike në botën e teatrit dhe kinemasë, duke e cilësuar si një artiste të veçantë dhe një njeri me shpirt të madh.
Ai theksoi se Margarita ishte e dashur nga publiku dhe gjithmonë u jepte emocione të forta me rolet e saj.
“Pavarësisht problemeve shëndetësore së fundmi, ajo vazhdonte të performonte me pasion dhe përkushtim, duke lënë pas veprat e saj të paharrueshme”, tha ai.
Regjisori u shpreh se Margarita Xhepa ishte një artiste që nuk kishte nevojë për shumë punë, sepse e bënte rolin me gjithë zemër.
“Nuk vjen një e dytë si Margarita. Njerëzit e donin Margarita Xhepën. Gjithë jeta e saj ishte film e emocion, që e përcolli me talent dhe dhembshuri. Njerëzit e prisnin me shumë dashuri. Margarita nuk ua prishte njerëzve, shkonte në skenë, edhe pse ishte sëmurë, kishte shpirt shumë të madh. Margarita e bënte rolin me gjithë zemër, nuk kishte nevojë që të punoje shumë me të. Margarita i la veprat e saj”, tha ai.
Edhe regjisorja Driada Dervishi ka ndarë kujtimet e saj për aktrimin dhe ndikimin e jashtëzakonshëm të Margarita Xhepës në jetën kulturore shqiptare pas ndarjes së saj nga jeta.
Dervishi e cilësoi Margarita Xhepën si një “monument” të teatrit dhe kinemasë shqiptare, duke theksuar se ajo ishte një figurë e paharrueshme dhe e admiruar nga publiku.
Ajo shtoi se Margarita Xhepa, me rolet e saj, arriti të hyjë në çdo familje shqiptare dhe të lërë një ndikim të thellë, duke mos përdorur kurrë bukurinë e saj për të ndërtuar karaktere, por duke u fokusuar në thelbin e çdo roli që luante.
“Margarita Xhepa ishte një monument. Ajo hyri si margaritari i ekranit, teatrit, e cila kurrë nuk përdori bukurinë e saj për të ndërtuar karaktere. Ajo diti të shkojë në çdo familje shqiptare”, tha Dervishi.