BESARTA BASHA/ Nga janari i vitit të ardhshëm, të gjitha agjencitë dhe shtëpitë funerale në Tiranë do të përballen me një filtër të hekurt kontrollesh dhe standardesh, si kusht për të vijuar aktivitetin.
Një vendim i miratuar nga Këshilli Bashkiak ka ndezur alarmin tek operatorët ekzistues dhe ka shtuar barrën për ata që synojnë të hyjnë në treg. Në emër të rritjes së cilësisë dhe sigurisë, bashkia ka hartuar një paketë masash që hyjnë në fuqi vetëm pas disa muajsh.
VENDIMI
Sipas vendimit në fjalë, çdo subjekt që ofron shërbime funerale do të detyrohet të pajiset me licencë të re, e cila do të jetë e vlefshme për 10 vite. Pa këtë dokument, aktiviteti do të konsiderohet i paligjshëm dhe do të mbyllet menjëherë. Por për të marrë licencën, kërkesat janë të shumta: nga vërtetime gjyqësore që provojnë pastërtinë ligjore, tek dëshmitë për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe sigurimeve e deri tek paraqitja e bilanceve financiare që tregojnë fuqinë ekonomike të kompanisë. “Kush nuk ka kapital, nuk hyn dot në treg”, është mesazhi i qartë i vendimit. Por nuk mbaron me kaq.
Rregullat e reja godasin edhe në aspektin teknik dhe infrastrukturor. Çdo agjenci funerale duhet të ketë të paktën një makinë funerale të certifikuar dhe një garazh me sipërfaqe të përshtatshme për mjetet, ndërsa shtëpitë funerale duhet të disponojnë salla ceremoniale për të gjitha komunitetet fetare, dhoma speciale për përgatitjen e kufomave me ujë të rrjedhshëm, tavolina sanitare dhe ventilim, si edhe morg me temperaturë të kontrolluar nga 2 deri në 12 gradë celsius. Përveç kësaj, personeli duhet të jetë i kualifikuar dhe i punësuar me kontrata zyrtare: minimumi tre punonjës për agjencitë funerale dhe katër për shtëpitë funerale, të shoqëruar me dy të tjerë me kontratë shërbimi.
EKSPOZIMI
Një nga pikat më të diskutueshme është ndalimi i ekspozimit të materialeve funerale si arkivole apo kurora në ambientet e shërbimit, si dhe kufizimi për të mos pasur asnjë shenjë fetare në fasadat e objekteve. Rregullorja parashikon gjithashtu kontrolle të rregullta dy herë në vit nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Çdo shkelje do të sjellë pezullim të menjëhershëm të licencës dhe nëse brenda 30 ditëve nuk korrigjohen mangësitë, heqje përfundimtare të së drejtës për të ushtruar aktivitetin. Në rastet më të rënda, ku shkeljet konsiderohen me pasoja për interesin publik, ndalimi do të jetë i menjëhershëm dhe pa afat.
AFATI
Operatorët ekzistues kanë vetëm gjashtë muaj kohë nga hyrja në fuqi e vendimit (data 10 qershor) për të përmbushur të gjitha kërkesat, përndryshe do të ndalohen të punojnë. Ndërsa për bizneset e reja, afati është edhe më i shkurtër: dy muaj nga regjistrimi në QKB për të aplikuar për licencë. Në të kundërt, penalitetet do të jenë drastike, deri në ndërhyrjen e Policisë Bashkiake për bllokimin e aktivitetit. Këto masa, që sipas bashkisë synojnë rritjen e standardeve, kanë ngjallur debat në sektorin e shërbimeve funerale. Shumë operatorë ankohen se kushtet e reja janë të kushtueshme dhe rrezikojnë të nxjerrin nga tregu kompanitë e vogla. Nga ana tjetër, ekspertët e tregut e shohin këtë si një hap drejt formalizimit dhe kontrollit më të madh mbi një sektor ku, sipas tyre, ka pasur shpesh abuzime.
PIKAT KYÇE TË RREGULLORES
Ndalimi i ekspozimit të arkivoleve dhe materialeve funerale.
Ndalimi i shenjave fetare në fasada.
Detyrimi për morg me temperaturë 2-12 C dhe dhoma speciale për trajtimin e kufomave.
Kontrolle dy herë në vit dhe heqje licence nëse nuk korrigjohen shkeljet brenda 30 ditëve.
Afati 6-mujor për agjencitë ekzistuese, ndryshe mbyllje me forcë nga Policia Bashkiake.
Numri minimal i punonjësve.
Nuk mund të jenë në godina banimi dhe aktiviteti nuk duhet të jetë i dukshëm për publikun.
/Gazeta Panorama