Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka reaguar mbi situatën e zjarreve në vend, teksa u shpreh se gjendja tashmë paraqitet më e qetë.
Ai tha se përgjatë 24 orëve të fundit, nga 31 vatra zjarri të raportuara, 28 prej tyre janë të shuara plotësisht ndërsa vetëm 3 kanë mbetur ende aktive.
Aktualisht, vatra në Arrën të bashkisë së Kukësit, ajo në Fushë Lugje të Mirditës dhe vatra në Buçaj të Shkodrës janë të izoluara pa rrezik përhapjeje dhe po monitorohen për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.
Vengu shprehu mirënjohje për të gjitha strukturat dhe vullnetarët që janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e flakëve.
“Mirënjohje për të gjitha strukturat operacionale, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura, Policinë, Shërbimin Pyjor, Zonat e Mbrojtura dhe vullnetarët për punën e palodhur dhe angazhimin maksimal. Përkushtimi i tyre i përbashkët ka qenë vendimtar në minimizimin e dëmeve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve!”, thuhet ne reagimin e ministrit.