Situata hidrike në qarkun Fier paraqitet problematike si pasojë e rritjes së prurjeve të lumenjve, ndërsa autoritetet lokale janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes në terren.
Sipas informacionit zyrtar akset rrugore në të gjithë qarkun janë aktualisht të aksesueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa ndërprerje, megjithëse me kufizime në disa zona. Hidrovorët janë në gadishmëri pune për të përballuar situatën.
Nivelet e lumenjve Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje, ndërsa situata më kritike paraqitet në lumin Vjosë. Në Urën e Mifolit, prurjet kanë kaluar pikat e matjes dhe aktualisht niveli i ujit ka arritur pikën kritike përgjatë argjinaturës, buzë më buzë.
Si pasojë, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Po ashtu, raportohet prani e lartë uji në 27 banesa në zonën Ferras–Cerven, të cilat ndodhen brenda argjinaturës mbrojtëse.
Prurjet e larta të lumit Vjosë kanë ndikuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku realizohet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Si masë paraprake, disa nga pompat në puset pranë lumit janë stakuar, ndërsa furnizimi po kryhet me kapacitet të reduktuar nga puse të tjera më të largëta. Kjo ka sjellë reduktim të furnizimit me ujë për qytetin e Fierit, i cili po realizohet sipas grafikut.
Të dhënat e marra nga pika e matjes në Urën e Memaliajt tregojnë për përkeqësim të situatës në orët në vijim, çka ka shtuar gatishmërinë e strukturave përgjegjëse.


